Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
today07/06/2022
Presidentja, Vjosa Osmani, dy muaj më parë ka pranuar propozimin e Këshillit Prokurorial për emërimin e Blerim Isufajt si Kryeprokuror të Shtetit, ndërkaq Zyra e Presidencës në atë kohë kishte bërë të ditur se do të shqyrtojë dhe analizojë në detaje dokumentacionin e pranuar dhe se nuk do ta dekretojë Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit, pa u konsultuar me organizatat që e kanë mbikëqyrur procesin e përzgjedhjes së tij.
E sot në një deklaratë për Telegrafin, Zyra e Presidencës njofton se përgjatë shqyrtimit të dokumentacionit përcjellës, dhe konsultimeve me palët e përfshira në monitorimin e procesit janë ngritur vërejtje për shkelje procedurale dhe parimore, të cilat mund të kenë ndikuar në mbarëvajtjen e procesit si dhe mungesë të dokumenteve të rëndësishme, për të cilat Presidenca ka kërkuar sqarime.
Më 13 maj, Zyra e Presidentes së Kosovës është njoftuar përmes një shkrese zyrtare nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, se njëri nga kandidatët në këtë proces ka bërë kërkesë individuale për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij procesi dhe njëkohësisht ka kërkuar edhe vendosjen e masës së përkohshme lidhur me emërimin e kryeprokurorit të shtetit.
“Duke qenë se kjo kërkesë tanimë është regjistruar në Gjykatën Kushtetuese dhe e njëjta do të shqyrtohet nga kjo Gjykatë, ZPRK-ja e vlerëson se një vendim potencial i Presidentes në këtë kohë, në lidhje me emërimin ose jo të kandidatit për kryeprokuror të shtetit, do të ishte i parakohshëm. Prandaj, ZPRK konsideron se është e nevojshme që të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me këtë kërkesë, në mes tjerash edhe për të evituar çfarëdo ndikimi në procesin e vlerësimit kushtetues të kërkesës në fjalë”, thuhet në deklaratë.
Sipas Presidencës së Kosovës, meqë funksioni i kryeprokurorit të shtetit tashmë është duke u ushtruar nga ushtruesi i detyrës dhe nuk mbetet vakant, ZPRK-ja vlerëson se vendimi për të pritur vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese është i arsyeshëm dhe njëkohësisht nuk është i lidhur me afate specifike kohore.
“Andaj, në këto rrethana, Zyra e Presidentes do t`i përcjellë me shumë vëmendje zhvillimet lidhur me këtë proces dhe më pas do t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme sipas kompetencave kushtetuese të Presidentes, duke u bazuar në përfundimet e nxjerra nga analiza e gjithë procesit”, thuhet më tej në deklaratë.
Lidhur me këtë proces të përzgjedhjes së kryeprokurorit ka pasur reagime të shumta në vend, nga organizatat joqeveritare dhe ambasadat e huaja.
Këshilli Prokurorial i Kosovës në fillim të prillit kishte votuar Blerim Isufajn për kryeprokuror të shtetit.
Votimi i tij në krye të prokurorisë është kundërshtuar nga ambasadorët e huaj në Kosovë e organizata vendore, pasi sipas tyre janë shpërfillur parimet për një proces të drejtë dhe meritor.
Edhe organizatat që merren me monitorimin e sistemit të drejtësisë kishin vlerësuar se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit kishte një varg mangësish të cilat cenonin integritetin e procesit.
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)