Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
today24/09/2024
Udhëheqësit e Kosovës, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, kanë shënuar të martën njëvjetorin e sulmit të armatosur kundër Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë në veri të vendit, duke e lartësuar “sakrificën e Afrim Bunjakut për ta mbrojtur sovranitetin e vendit”.
Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në fshatin e Zveçanit, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.
Presidentja Osmani tha se Kosova “është dhe do të mbetet e pandashme, e liria dhe kufijtë tanë të paprekshëm”.
“Sot një vit, rreshteri Afrim Bunjaku ra dëshmor, për të treguar edhe një herë, siç kemi dëshmuar ndër shekuj, se kjo tokë është atdheu ynë i përjetshëm”, shkroi në Facebook.
Në njëvjetorin e vrasjes së Bunjakut, autoritetet kosovare e emërtuan të martën një rrugë rajonale që çon drejt Banjskës për nder të tij.
“Në njëvjetorin e sulmit terrorist dhe paramilitar kundër vendit tonë në Banjskë të Zveçanit, nderojmë e kurrë nuk harrojmë sakrificën e heroit, rreshterit Afrim Bunjaku, që humbi jetën duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, shkroi Kurti në Facebook.
Kosova e ka cilësuar sulmin si “terrorist” dhe e akuzon shtetin e Serbisë se ka gisht në të. Serbia i ka mohuar akuzat.
Kurti, së bashku me ministrat e Qeverisë së tij, bëri homazhe te varri i Bunjakut dhe e vizitoi familjen e tij në fshatin Samadrexhë të Vushtrri, ku tha se Serbia “është përgjegjëse dhe duhet të japë përgjegjësi” dhe se Kosova i kërkon bashkësisë ndërkombëtare për ta mbajtur përgjegjës shtetin e saj fqinj.
Në fillim të këtij muaji, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave për këtë sulm.
Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila mbështetet nga Beogradi.
Në aktakuzën e ngritur nga prokuroria kosovare, Radoiçiq cilësohet si “kreu i grupit terrorist”.
Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë tha se dështimi për t’i mbajtur përgjegjës kryerësit e sulmit “me gjithë pranimin e qartë të fajësisë” e minon paqen në rajon dhe dërgon mesazh të “rrezikshëm”.
Radoiçiq besohet se gjendet në Serbi. Ndërkaq, të pandehurit e tjerë, sipas aktakuzës, të gjithë janë në arrati përveç tre personave që gjenden në paraburgim në Kosovë: Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 13 shtator se autoritetet serbe po e hetojnë sulmin në Banjskë.
Ai tha se ky sulm, për Serbinë, nuk është “terrorist”./EVROPAELIRE/
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)