Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
Studiuesit po kërkojnë ndryshimin e udhëzimeve zyrtare të shëndetit publik, duke paralajmëruar se fëmijët duhet të shmangin plotësisht pijet me akull të grimcuar “slushy” që përmbajnë glicerol, pasi mund të shkaktojnë probleme serioze shëndetësore. Sipas tyre, këto pije nuk duhet të konsumohen fare nga fëmijët nën moshën tetëvjeçare, ka raportuar BBC.
Një studim i fundit, i publikuar në Archives of Disease in Childhood, ka shqyrtuar rastet e 21 fëmijëve të moshës dy deri në shtatë vjeç në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë, të cilët kërkuan trajtim urgjent pasi kishin konsumuar një pije të tillë.
Pse janë të rrezikshme “slushyt”?
Pijet “slushy” janë të njohura për ngjyrat e tyre të ndezura dhe shijen e ëmbël, gjë që i tërheq fëmijët. Megjithatë, për të krijuar efektin e tyre të akullit të grimcuar, ato shpesh përmbajnë glicerol në vend të sheqerit.
Sipas Agjencisë së Standardeve të Ushqimit (FSA) në Mbretërinë e Bashkuar:
– Fëmijët nën 5 vjeç nuk duhet t’i konsumojnë fare.
– Fëmijët nën 11 vjeç nuk duhet të pinë më shumë se një të tillë.
Nëse një fëmijë konsumon shpejt një pije të tillë, mund të shfaqë intoksikim nga gliceroli, duke çuar në:
-Shok
-Hipoglicemi (nivel i ulët i sheqerit në gjak)
-Humbje të ndjenjave
Raste të rënda të fëmijëve në spital
Rastet e fëmijëve Arla, 2 vjeçe dhe Albie, 4 vjeçe, tregojnë rreziqet e konsumimit të këtyre pijeve. Ato përfunduan në spital pasi pësuan simptoma të rënda pas konsumimit të një “slushy”.
Në studimin e analizuar, të gjithë fëmijët e prekur përfunduan në urgjencë dhe shfaqën:
-Humbje të vetëdijes dhe nivele të larta acidesh në gjak
-Katër prej tyre iu nënshtruan skanimeve të trurit
-Një fëmijë pësoi krizë epileptike
Fatmirësisht, të gjithë fëmijët u shëruan dhe u larguan nga spitali me këshillën për të shmangur pijet “slushy”.
Transparencë e dobët mbi përmbajtjen e glicerolit
Ekspertët theksojnë se nuk ka transparencë për sasinë e glicerolit që përmbajnë këto pije, duke e bërë të vështirë përcaktimin e një doze të sigurt. Për më tepër, ndikimi i pijes varet edhe nga pesha e fëmijës, shpejtësia e konsumimit dhe nëse është pirë me ushqim apo pas aktivitetit fizik.
Një faktor tjetër që mund të ketë ndikuar në rritjen e rasteve të sëmundjeve nga “slushiet” është përmbajtja më e ulët e sheqerit. Në disa vende ku nuk zbatohet taksa për sheqerin, këto pije përmbajnë më shumë glukozë dhe shpesh nuk kanë aspak glicerol.
Ekspertët kërkojnë që udhëzimet e shëndetit publik të përditësohen, duke ndaluar përdorimin e “slushive” me glicerol për fëmijët nën moshën tetëvjeçare./koha
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)