play_arrow

keyboard_arrow_right

Listeners:

Top listeners:

skip_previous play_arrow skip_next
00:00 00:00
playlist_play chevron_left
volume_up
chevron_left
  • cover play_arrow

    LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË

  • cover play_arrow

    LIVE CLUB FM SHQIPËRI

  • cover play_arrow

    LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP

Aktualitet

Përçahen mësimdhënësit e Kosovës

today30/09/2022

Background
share close

Mësimdhënësit në grevë nuk janë të gjithë të mendimit se mësimi duhet të nisë – edhe pse tashmë një muaj me vonesë.

Të mërkurën e 28 shtatorit, Sindikata e Bashkuar për Arsim e Kosovës (SBASHK) kërkoi nga ta që të japin mendimin për pezullimin e mundshëm të grevës deri në janar dhe nisjen e procesit mësimor të hënën e parë të tetorit.

Por, sindikatat e disa shkollave njoftuan se pajtim unanim nuk ka.

Ajshe Zogjani Rexhepi, kryetare e sindikatës së Shkollës së Mesme “Sami Frashëri” në Prishtinë, tha se shumica e mësimdhënësve në këtë institucion kanë votuar për vazhdimin e grevës deri në plotësimin e kërkesave.

Nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje ndërmjet SBASHK-ut dhe Qeverisë së Kosovës, mësimi nuk do të fillojë më 3 tetor, tha ajo.

Mësimdhënësit e shkollave publike, të udhëhequr nga SBASHK-u, janë në grevë me kërkesën për mbështetje financiare prej 100 eurosh në muaj derisa të hyjë në fuqi Ligji për paga.

Qeveria e Kosovës thotë se ky ligj, që parasheh rritje pagash, do të dalë në miratim së shpejti, dhe kërkon nisjen e procesit mësimor pa kushte.

Shkolla Fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë pritet t’i hapë dyert nga e hëna. Naim Bytyçi, nga sindikata e kësaj shkolle, tha se rreth 70% e mësimdhënësve kanë votuar për pezullimin e grevës. Megjithatë, nuk është e qartë se si do të veprojnë mësimdhënësit që kanë qenë për vazhdimin e grevës.

Votime për dhe kundër mësohet se ka në shumë shkolla në komuna të ndryshme të Kosovës. Ka edhe mësimdhënës të tillë që në mënyrë individuale kanë nisur t’i mbajnë orët tash e sa ditë.

Në Shkollën Fillore “Hasan Prishtina” në Prishtinë ka nisur mësimi me orë të shkurtuara nga 27 shtatori.

Ndërhyrje politike?

Për këtë mungesë pajtimi midis mësimdhënësve, disa fajësojnë politikën.

“Ndarjet mes mësimdhënësve për vazhdimin apo pezullimin e grevës kanë shpërfaqur seriozisht ndërhyrjet politike në sistemin e arsimit”, thotë për Radion Evropa e Lirë Halim Hyseni, nga Qendra për Arsim e Kosovës.

Ai nuk specifikon se për kë konkretisht e ka fjalën dhe në çfarë mënyre mund të jetë bërë ndërhyrja.

Hyseni thotë se greva duhet të ndërpritet nga kryesia e SBASHK-ut e jo nga sindikatat anëtare të këtij grupimi.

“Nëse procesi mësimor nuk fillon më 3 tetor, ky vit shkollor është i dështuar”, thotë ai.

“Siç duket, për Qeverinë më interesante dhe më me prioritet ka qenë të luftojë për përçarjen e SBASHK-ut. Tani kemi këtë rrëmujë në sindikatë. Kryesia e Këshillit grevist [e SBASHK-ut] nuk ka fuqi të vendosë vetë për vazhdimin apo ndaljen e grevës dhe përgjegjësinë e ka bartur në nivel komunash, në nivel shkollash”, thotë Mustafa.

Mustafa nuk sqaron se ku i mbështet pretendimet e tij.

REL ka kërkuar koment edhe në Qeverinë e Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje.

Përfaqësues të Qeverisë dhe të SBASHK-ut janë takuar disa herë, në përpjekje për të gjetur zgjidhje për grevën, por pa rezultat.

SBASHK: Greva ndërpritet me vendim të sindikatave

Në SBASHK thonë se greva është shpallur me kërkesë të sindikatave të shkollave dhe se do të ndërpritet njësoj – me kërkesë të tyre.

“SBASHK-u ka një formular që e ka nënshkruar çdo anëtar i sindikatës. Me thirrjen e tyre është shpallur greva dhe me kërkesën e tyre do të mbyllet. Për këtë arsye edhe po bëhet konsultimi me gjithë anëtarësinë [sindikatat]”, thotë Rashit Kushaj, anëtar i Këshillit grevist të SBASHK-ut.

Sipas tij, të dhënat nga sindikatat e shkollave do të mblidhen në fundjavë dhe, pastaj, do të merret vendimi për hapjen ose jo të shkollave.

Kushaj mohon se ka ndonjë “rrëmujë” brenda SBASHK-ut.

Nga kjo organizatë këmbëngulin se kërkesa e tyre për 100 euro shtesë në muaj është e bazuar, për shkak të rritjes së inflacionit.

Qeveria e Kosovës, në fillim të shtatorit, ka dalë me një pako për përballje me inflacionin, e cila parasheh nga 50 euro shtesë për punonjësit e sektorit publik, përfshirë mësimdhënësit. Por, SBASHK-u nuk e ka pranuar këtë ofertë.

Prindër të nxënësve dhe vetë nxënës kanë protestuar disa herë për hapjen e shkollave.

Në rrëfime të ndryshme për Radion Evropa e Lirë, prindërit kanë shprehur shqetësim se mungesa e mësimit do të ndikojë keq në formimin e fëmijëve të tyre.

Këshilli i Prindërve të Kosovës ka thënë se nëse mësimi nuk nis më 3 tetor, ky organ do të kërkojë “çregjistrim masiv” të nxënësve nga shkollat.

Jashtë bankave vazhdojnë të mbeten mbi 300.000 nxënës të moshave të ndryshme.

Nëse shkollat nuk hapen të hënën, ata do të hyjnë në muajin e dytë pa mësime.

Për mundësinë e kompensimit të këtyre orëve ndonjëherë, nuk flet ende askush.

Written by: ClubFm Kosova

Rate it

Post comments (0)

Leave a reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



0%