Balerini dhe koreografi shqiptar Leander Veizi është emëruar drejtor artistik dhe koreograf i trupës së baletit në Teatrin e Regensburgut.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë teatri gjerman, i cili njoftoi se Veizi do ta marrë këtë detyrë me fillimin e sezonit të ri artistik. Deri në fund të sezonit aktual, ai do të vazhdojë të jetë pjesë e trupës së baletit si balerin, përcjellë KultPlus.
Artisti 37-vjeçar u shpreh se ndodhet në një fazë të rëndësishme të karrierës së tij, duke kaluar gradualisht nga performanca aktive në skenë drejt fushës së koreografisë dhe drejtimit artistik.
“Jam në fazën klasike të tranzicionit në jetën e një balerini, kur kam hedhur tashmë hapat e parë në koreografi dhe po kaloj gradualisht nga vallëzimi aktiv në skenë drejt fushave të tjera artistike të vallëzimit”, tha Veizi.
Ai shtoi se pret me entuziazëm muajt e fundit si balerin aktiv dhe mundësinë për të ndërtuar një vizion të ri artistik së bashku me ekipin e teatrit.
“Pres me padurim pesë muajt e fundit si balerin dhe sidomos krijimin e një rruge të re së bashku me ekipin e teatrit të Regensburgut. Vlerësoj punën në ekip dhe frymën e bashkëpunimit, si dhe gëzimin për të krijuar gjëra të reja duke u mbështetur në traditë”, theksoi ai.
Veizi ka qenë pjesë e trupës së baletit të këtij teatri prej vitesh dhe tashmë do të udhëheqë artistikisht zhvillimin e saj në sezonet e ardhshme./KultPlus.com
Post comments (0)