Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
today01/08/2022
Pesë karroca të dorës, që shërbejnë për bartje, janë vendosur në sheshin “Adem Jashari”, në një hapësirë në mes të objektit të Komunës së Prishtinës dhe Kuvendit të Kosovës.
Këto karroca që dikur përdoreshin nga hamajtë e tregut të Prishtinës, i kanë shërbyer artistit Lulzim Zeqiri për të krijuar instalacionin e tij “The Lightness of the Weight” (Lehtësia e Peshës) që është pjesë e Bienales “Manifesta 14” që po mbahet në Prishtinë.
Në një bisedë për KALLXO.com, krijuesi Zeqiri ka thënë se edhe vendosja e instalacionit të tij në një hapësirë të gjelbëruar, ngjitur me një prej udhëkryqeve më të frekuentuara në kryeqytet, shpjegon edhe përmbajtjen konceptuale të krijimit të tij.
“Ky intervenim hapësinor, për ta përmbushur përmbajtjen e tij konceptuale, qëllimisht ka zënë vend në një kufi, i cili fizikisht nuk duket, por si i tillë në një mënyrë tenton të qëndrojë si pikë- lidhje e peizazhit urban”, ka thënë ai.
Ndërsa shton se shtrirja e këtij punimi duke e bërë formën e rrethit si formë e përkryer është i prirë të na japë ndjenjën e afërsisë, ndërsa në interpretim më të plotë, ideja e afërsisë merr kuptim ironik.
“Karrocat të destinuara kryesisht për bartje, ato blihen (bashkë me historinë e tyre ) nga pronarët e tyre, dhe lirohen tani më nga destinimi primar”, pohoi ai.
Të renditura në formë rrethi karrocat simbolizojnë rehatinë, luksin, njëkohësisht edhe nxisin dialogun për idenë e pushtetit.“Pozita e tyre në formë të ulëses, synon edhe të nxisë dialog për idenë e pushtetit, idenë e rehatisë, luksit dhe dominimit”, ka thënë Zeqiri për KALLXO.com.
Ndërkaq, sipas vlerësimit kuratorial të Bienales “Manifesta 14 Prishtina”, intervenimin e tij artistik “The Lightness of the Weight”, Zeqiri e bazon në një projekt afatgjatë.
“Zeqiri është i mahnitur nga kjo ndërthurje mes tregtimit dhe rehatisë, bashkëjetesës dhe miqësisë. Instalimi i tij në vend të caktuar bazohet në një projekt kërkimor afatgjatë që shqyrton zakonet dhe shqetësimet e hamajve të pazarit”, thuhet në vlerësimin kuratorial të “Manifestës”.
Mbi 100 pjesëmarrës nga 32 shtetet do të jenë pjesë e Bienales Evropiane Nomade “Manifesta 14” që po mbahet në Prishtinë.“Manifesta 14″ është hapur më 22 korrik, ndërsa do të jetë e hapur deri më 30 tetor 2022.
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)