FBI fajësoi të enjten hakerët e lidhur me qeverinë e Koresë së Veriut për vjedhjen e më shumë se 600 milionë dollarëve në kriptovaluta muajin e kaluar nga një kompani e lojërave video – e fundit në një varg grabitjesh të guximshme kibernetike të lidhura me Phenianin.
“Përmes hetimit tonë ne ishim në gjendje të konfirmonim se Lazarus Group dhe APT38, aktorë kibernetikë të lidhur me DPRK, janë përgjegjës për vjedhjen e 620 milionë dollarëve në Ethereum të raportuar më 29 mars”, tha FBI në një deklaratë.
“DPRK” është një shkurtim i emrit zyrtar të Koresë së Veriut, Republika Popullore Demokratike e Koresë, dhe Ethereum është një platformë teknologjike e lidhur me një lloj kriptomonedhe.
Sipas CNN, përcjell Telegrafi, FBI po i referohej hakimit të fundit të një rrjeti kompjuterik të përdorur nga Axie Infinity, një lojë video që lejon lojtarët të fitojnë kriptovaluta.
Sky Mavis, kompania që krijoi Axie Infinity, njoftoi më 29 mars se hakerat e paidentifikuar kishin vjedhur ekuivalentin e afërsisht 600 milionë dollarëve – e vlerësuar në kohën e zbulimit të hakimit – më 23 mars nga një “urë”, ose rrjet që lejon përdoruesit të dërgojnë kriptomovaluta nga një blockchain në tjetrin.
Departamenti i Thesarit i SHBA-së sanksionoi të enjten Lazarus Group, një grup i gjerë hakerash që besohet se punojnë në emër të qeverisë së Koresë së Veriut.
Thesari sanksionoi “portofolin”, ose adresën e kriptovalutës, që u përdor për të marrë para në hakimin e Axie Infinity.
Sulmet kibernetike kanë qenë një burim i rëndësishëm të ardhurash për regjimin e Koresë së Veriut për vite me rradhë pasi udhëheqësi i tij, Kim Jong Un, ka vazhduar të ndjekë armët bërthamore, sipas një paneli të Kombeve të Bashkuara dhe ekspertëve të jashtëm të sigurisë kibernetike. /Telegrafi/
Post comments (0)