Listeners:
Top listeners:
play_arrow
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
play_arrow
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
play_arrow
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
play_arrow
LIVE SHQIP POPULLORE Vëtëm Këngë Popullore
play_arrow
LIVE CLUB BAR
play_arrow
LIVE CLUB BAR BIT
today04/03/2026
Më 25 shkurt 2026, në ambientet historike të Chiostri di San Barnaba në Milano, u mbajt edicioni i radhës i Milano Fashion Week, një ngjarje që këtë vit mori një dimension të veçantë falë pjesëmarrjes së stilistit kosovar Etnik Shala, i cili u shqua si një nga figurat kryesore të pasarelës ndërkombëtare.
Në një atmosferë artistike, ku drita dhe heshtja krijuan një skenografi pothuajse teatrale, moda u shndërrua në rrëfim. Mes dhjetëra prezantimeve nga dizajnerë të vendeve të ndryshme, koleksioni i Shalës tërhoqi vëmendje të veçantë, duke konfirmuar pozicionin e tij si një nga zërat më të fuqishëm të modës bashkëkohore kosovare, shkruan KultPlus.
Në një deklaratë për KultPlus, Shala e përshkroi përjetimin e tij në Milano si një moment që tejkalon emocionin e zakonshëm të pasarelës.
“Për mua, skenat ndërkombëtare janë si një juri profesionale, ato gjykojnë drejt. Nëse vlen, aty merr dritën e gjelbër. Milano nuk ishte hera ime e parë, por çdo prezantim më emocionon edhe më shumë. Ajo që më bën vërtet të lumtur është fakti që njerëz nga vende të ndryshme udhëtojnë për të qenë prezent në premierat dhe sfilatat e mia.
Kjo më bën të ndjej se po krijoj adhurues të vërtetë të punës sime, dhe për mua ky është suksesi real, jo vetëm duartrokitjet, por lidhja që krijohet me publikun.”, publiku prej mbi 300 të ftuarish reagoi me admirim, duke e shndërruar prezantimin e tij në një nga momentet kulmore të mbrëmjes.
Në Milano, Shala prezantoi koleksionin më të ri, “SCAR”, një projekt me ngarkesë të thellë simbolike dhe kulturore.
“Mesazhi i koleksionit SCAR vjen nga një vend i vogël që ka përjetuar shumë plagë dhe shenja. Por ne nuk i fshehim ato – ne i dekorojmë, madje i zbukurojmë me gurë të çmuar.
Plagët tona nuk janë dobësi, janë histori. Janë identitet. Dhe pikërisht sepse kemi kaluar përmes dhimbjes, sot jemi këta që jemi.”, kjo filozofi u reflektua në pasarelë përmes siluetave të strukturuara, detajeve të forta arkitektonike dhe elementeve simbolike që e shndërruan dhimbjen në forcë vizuale”, tregoi ai për KultPlus.
“SCAR” nuk ishte thjesht një koleksion mode, por një qëndrim artistik.
I lindur në Pejë më 20 qershor 1993, Etnik Shala ka ndërtuar ndër vite një identitet të qartë stilistik, ku ndërthuren trashëgimia kulturore shqiptare me forma moderne, struktura të guximshme dhe një estetikë teatrale që ruan elegancën dhe autenticitetin.
Për Shalën, përfaqësimi i identitetit kosovar në skena ndërkombëtare mbetet thelbësor.
“Për mua, përfaqësimi i identitetit kosovar është thelbësor. Si Etnik, mundohem t’i qëndroj besnik emrit tim dhe kulturës sime. Historia jonë është një sirtar i pashtershëm kreativiteti.
Prandaj çdo koleksion i imi është unik. Unë nuk ndjek trendet apo modën momentale. Unë krijoj atë që ekziston brenda meje, atë që ka identitet dhe që është e frymëzuar nga histori reale, jo nga stilistë të tjerë.”, përfundoi ai për KultPlus.
Kjo qasje e ka pozicionuar atë si një urë lidhëse mes identitetit kombëtar dhe skenës globale, mes rrënjëve dhe inovacionit.
Në skena ndërkombëtare ai ka prezantuar koleksione si Symphony of Flowers, White Swan, Geisha, Brymé, Muze, Xenon dhe Alexei 2025, duke fituar vlerësime të rëndësishme si Grand Prix në Big SEE Fashion Design Awards (2019 dhe 2022), si dhe Public Choice Award në Sarajevë. Që në vitin 2011 ai ishte shpallur “Best Albanian Designer”, duke dëshmuar talentin e tij që në hapat e parë të karrierës.
Edicioni i këtij viti i Milano Fashion Week dëshmoi se moda është më shumë se estetikë është kulturë, përgjegjësi dhe vizion. Në këtë skenë ndërkombëtare, Etnik Shala jo vetëm që prezantoi një koleksion të ri, por përfaqësoi me dinjitet Kosovën, duke forcuar praninë e modës kosovare në hartën globale.
Pjesëmarrja e tij në Milano shënon një tjetër kapitull të rëndësishëm në karrierën e stilistit, duke e konsoliduar si një nga emrat më të rëndësishëm të modës shqiptare dhe rajonale në arenën ndërkombëtare./KultPlus.com
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)