play_arrow

keyboard_arrow_right

Listeners:

Top listeners:

skip_previous skip_next
00:00 00:00
playlist_play chevron_left
volume_up
  • cover play_arrow

    LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË

  • cover play_arrow

    LIVE CLUB FM SHQIPËRI

  • cover play_arrow

    LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP

  • cover play_arrow

    LIVE SHQIP POPULLORE Vëtëm Këngë Popullore

  • cover play_arrow

    LIVE CLUB BAR

  • cover play_arrow

    LIVE CLUB BAR BIT

Art & Kulturë

Emela Brace, artistja shqiptare e galerive të mëdha të botës: Dëshirë e imja të ekspozoj në Prishtinë

today27/02/2026 1

Background
share close

Ka studiuar drejtësinë dhe Gjuhë e Letërsinë Shqipe, por në galeritë e botës nuk njihet as për njërën e as për tjetrën. Emela Brace po vlerësohet për mënyrën se si përdorë ngjyrat, dhe veprat e saj artistike tashmë janë prezantuar në galeri të ndryshme të Evropës e më gjerë.

Marsi dhe prilli janë muajt ku punët e Emelës do të prezantohen në Berlin, Paris e Strasburg, e që për KultPlus tregon se veprat e saj janë përzgjedhë nga kuratorë ndërkombëtarë.

“Në këto projekte jam përzgjedhur nga kuratorë ndërkombëtarë, çka për mua është një vlerësim profesional dhe një konfirmim i pozicionimit tim në skenën ndërkombëtare. Këto ekspozita janë hapësira dialogu me publikun dhe komunitetin artistik evropian. Pres që këto prezantime të thellojnë bashkëpunimet ndërkombëtare dhe të krijojnë perspektiva të reja mbi veprën time” ka thënë Emela Brace e cila veçantinë e punës së saj e sheh te ndërthurja e figuracionit bashkëkohor me elemente materialë si: gurë natyralë, minerale dhe tekstura të strukturuara, që e transformojnë pikturën nga imazhi në objekt.

“Unë nuk e shoh artin si dekor, por si strukturë. Veprat e mia trajtojnë identitetin, autoritetin femëror, memorien dhe fuqinë e brendshme, duke dialoguar me ikonografinë klasike nga një perspektivë bashkëkohore” thotë Brace e cila ka lindë në Tiranë, por që punën prej artisteje, së fundi është duke e zhvilluar në Holandë.

Ndihet e nderuar për vlerësimet ndërkombëtare rreth punës së saj, por, sipas saj nuk përbëjnë fundin e rrugëtimit, sepse, sipas saj, momenti më i rëndësishëm për krijimet e saj është atëherë kur arrijnë të krijojë një lidhje të thellë me publikun.

E kur është fjala te lidhja me publikun, Emela është e njohur edhe për veprën e saj “Mary Magdalene”, vepër që në vitin 2025 është ekspozuar në Dubai, e përgjatë këtij viti është e vendosur për përvetësim muzeal e trashëgimi në Oman, vepër që kap vlerën prej 6 milionë dollarëve.

Mary Magdalene është një kryevepër skulpturore unike nga Emela Brace Nomolos, e gdhendur me dorë nga jadeite natyrale e rrallë dhe e integruar me një diamant laboratorik 110.3 karatësh si element konceptual thelbësor. E konceptuar ekskluzivisht për përvetësim institucional, kjo vepër e ripozicionon Mary Magdalene si një arketip universal të autoritetit femëror, qëndrueshmërisë shpirtërore dhe ndërgjegjes morale.

Në krijimtarinë e saj veçohet edhe “The Truth of Mona Lisa”, e cila është e punuar me teknikë të përzier mbi kanavacë Topaz Imperial natyral (rreth 2,500 karatë) Kornizë antike evropiane e shekullit XIX (Renaissance Revival).

Kritika veprën “The Truth of Mona Lisa” e ka vlerësuar si një ndërhyrje strukturore bashkëkohore në historinë e artit perëndimor.

“Në vend që të riprodhojë imazhin e Leonardos, Nomolos e fragmenton atë. Fytyra ikonike ndahet, duke destabilizuar iluzionin e unitetit të imponuar historikisht mbi subjektin femëror. Vepra nuk e riinterpreton Mona Lisën si homazh estetik; ajo e ripozicionon figurën si një enë të koduar kujtesash, autorësie dhe dijeje të shtypur. Piktura funksionon njëkohësisht si imazh dhe objekt, ikonë dhe artefakt, kritikë dhe vazhdimësi. Ajo operon brenda kanonit duke e tronditur autoritetin e tij”, thuhet rreth kësaj vepre.

Duke iu referuar kulturës shqiptare, dhe elementeve të shumta që mund ti prezantohen botës, Emela ka thënë se deri më tash nuk ka realizuar një projekt të dedikuar drejtpërdrejtë elementeve shqiptare, sepse, sipas saj, një temë e tillë kërkon përkushtim të plotë dhe trajtim serioz.

“Në të ardhmen kam dëshirë të ndërtoj një projekt të posaçëm të dedikuar identitetit shqiptar, figurave autentike dhe trashëgimisë sonë kulturore, me një mesazh bashkimi kulturor dhe reflektimi mbi rrënjët tona të përbashkëta”, ka treguar për planet e së ardhmes, e cila, përpos fokusit të krijimit të veprave mbi identitetin shqiptar, ajo synon edhe bashkëpunimin në hapësirën shqiptare, e që deri më tash nuk ka pas asnjë prezantim as në Shqipëri e as në Kosovë.

“Është një dëshirë e imja shumë e madhe. Edhe pse vendlindja ime është Tirana, ekspozitën time të parë në hapësirën shqiptare do të doja ta realizoja në Prishtinë. Do të ishte një zgjedhje e vetëdijshme dhe simbolike për mua. Sepse përtej kufijve administrativë, identiteti ynë është i përbashkët. Historia, kultura dhe rrënjët tona janë të ndërthurura në mënyrë të pandashme. Për mua, Shqipëria nuk kuptohet pa Kosovën, ashtu si Kosova nuk kuptohet pa Shqipërinë. Janë dy pjesë të së njëjtës frymë. Një projekt i tillë do të ishte një akt kulturor bashkimi dhe respekti — jo politik, por shpirtëror”, ka thënë për fund ajo, e cila punën e saj e ka prezantuar në shumë shtete të Evropës e ShBA, por jo edhe në galeritë shqiptare./ KultPlus.com

Written by: ClubFm Kosova

Rate it

Post comments (0)

Leave a reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *