“Kemi qenë në terr të plotë informativ. Nuk na e komunikonin pretekstin e ‘shoqërimit’. Por pastaj e kuptuam që duan të na lidhin me atë grupin e Gjilanit që u kap me tritol. Nuk donin t’i shihnin biletat e avionit, ku kuptohej që ne sa ishim kthyer nga Italia. Ata thjesht synonin që në konferencën për media të paralajmërojnë me pompozitet që ‘kanë qenë efikas’ dhe se kanë kapur tërë grupin e ‘kontrabandistëve kosovarë’. Prandaj na shantazhonin e na kërcënonin”, ka treguar një nga anëtarët e ekipit të shfaqjes pa dashur t’i përmendej emri. Në oborrin e Komisariatit të Kukësit do të qëndronin për rreth tri orë, e më pas dërgimi në Tiranë qe “akti i dytë i dramës”.
“Aty mandej na kanë përplasë në dhoma me të ndaluar të tjerë, në kushte të tmerrshme higjienike e në të ftoftë ekstrem”, ka treguar një prej të ndaluarve. Në njoftimin e Qendrës “Multimedia” për këtë rast tregohet se përfundimisht janë lënë të lirë në mëngjesin e së hënës, pasi u sqarua se ishim arrestuar e mbajtur gabimisht.
“Pamja e përgjithshme e Policisë së Shqipërisë është ajo e një ngrehine dhune të normatizuar. Gjatë këtyre rreth dhjetë orëve kemi qenë pre e një terrori sistematik, kemi qenë të sulmuar fizikisht e psikikisht nga vagabondë të veshur në uniforma policore. Për një kohë kaq të shkurtër disaorëshe kemi parë e ndeshur një botë njerëzish që objektiv të parë kanë poshtërimin e uljen e dinjitetit të tjetrit; Që gjuhen seksiste, dhunën psikike, shakatë pa kripë e kërcënimet i kanë kryefjalë të punës e sjelljeve të tyre. Ne thjesht ndihemi të turpëruar për sjelljet dhe veprat e tyre”, shkruhet në njoftimin e lëshuar pas lirimit nga Policia ku kanë qëndruar rreth 10 orë. Në njoftim përmenden edhe raste kur disa zyrtarë policorë janë sjellë tejet normal.
KOHA gjatë ditës së hënë ka dërguar pyetje në Drejtorinë e Policisë në Tiranë, atë të Kukësit e në Ministrinë e Brendshme të Shqipërisë, por nuk ka marrë përgjigje.
Pavarësisht kësaj, publiku i Firences i ka marrë disa përgjigje për Peter Handken. “The Handke Project” është rrëfim që vjen si akuzë nëpërmjet artit dhe ka prekur shumë cepa të Evropës.
“Ku përfundon liria e artit dhe ku fillon nevoja për të qenë politikisht korrekt? A mund të bëjmë art pa qenë të pandjeshëm?”, janë pyetjet nëpërmjet së cilës përshkruhet shfaqja. Aty sqarohet se nëpërmjet këndvështrimit të fituesit kontrovers të çmimit “Nobel” për letërsinë, Peter Handke, një trupë artistësh pan-evropiane lundron në ekuilibrin delikat midis lirisë së shprehjes dhe përgjegjësisë sociale në teatër.
Në projektin teatror të qendrës “Multimedia” bashkë me “Mittelfest” e Teatrin e Toskanës, Teatrin e Dortmundit, Teatrin Kombëtar të Sarajevës e festivalin e njohur botërisht të kryeqytetit boshnjak, “MESS”, Peter Handke zhvillon një bisedë me Joseph Goebbelsin. Udhëheqësi i propagandës së nazistëve i jep atij leksione se si duhen mohuar krimet e si duhet ngritur pyetje nëse ato janë të vërteta. Kasta e aktorëve: Arben Bajraktaraj, Anja Drljeviq, Adrian Morina, Ejla Bavçiq, Klaus Martini e Verona Koxha për rreth një orë e gjysmë përballë publikut dekonspirojnë Handken, siç kanë bërë nëpër disa qytete të Evropës e edhe në Beograd. Shfaqja ironizon skajshëm figurën e shkrimtarit që më 2019 fitoi çmimin “Nobel” për letërsi. Shtjellon temën nëse ka kufij etikë e njerëzorë për një krijues. E tërthorazi jep edhe përgjigje. “The Handke Project” pos Italisë, është dhënë edhe në Serbi, Gjermani, Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi e pritet të shkojë edhe në Francë.
Post comments (0)