Tenori i njohur italian, Andrea Bocelli, ka reaguar ndaj komenteve të aktorit Timothée Chalamet për operën dhe baletin, duke shprehur shpresën se aktori një ditë do ta ndryshojë mendimin për këto forma arti.
Në një intervistë për revistën People, Bocelli tha se u surprizua kur dëgjoi se Chalamet kishte bërë një koment kritik gjatë një aktiviteti në shkurt, ku aktori kishte deklaruar se opera dhe baleti janë forma arti për të cilat “askush nuk interesohet”.
Sipas këngëtarit italian, shpesh njerëzit priren të mbajnë distancë nga gjërat që nuk i kanë përjetuar ende.
“Besoj se shpesh qëndrojmë larg nga ajo që nuk e kemi njohur vërtet. Opera dhe baleti janë forma arti që kanë kaluar shekuj dhe vazhdojnë të flasin me zemrën e njeriut, sepse i përgjigjen nevojës për bukuri, të vërtetë dhe emocion,” u shpreh Bocelli.
Ai theksoi se këto arte nuk i përkasin vetëm së kaluarës, por janë forma të gjalla shprehjeje që vazhdojnë të prekin publikun dhe të bashkojnë breza të ndryshëm.
Bocelli, i cili konsiderohet një nga artistët që ka kontribuar në popullarizimin e muzikës klasike në mbarë botën, tha se beson që Chalamet mund ta shohë ndryshe këtë art në të ardhmen.
“Jam i bindur që një artist i ndjeshëm si Timothée, që e kupton fuqinë e emocioneve, mund të zbulojë një ditë se opera dhe vallëzimi burojnë nga i njëjti burim emocionesh,” tha ai.
Tenori italian i bëri gjithashtu një ftesë publike aktorit për të marrë pjesë në një nga koncertet e tij.
“Nëse ndonjëherë do të jetë kurioz, do të isha shumë i lumtur ta mirëprisja si mysafir në një nga koncertet e mia. Ndonjëherë mjaftojnë vetëm disa minuta për të dëgjuar këtë muzikë live për të kuptuar pse, edhe pas shekujsh, ajo vazhdon të dashurohet në gjithë botën,” u shpreh Bocelli.
Komentet e tij vijnë pasi deklarata e Chalamet për operën dhe baletin ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale dhe në botën e artit./KultPlus.com
Post comments (0)