Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
Teatri Dodona në bashkëpunim me Qendrën për Art dhe Komunitet, me datë 5 dhe 6 nëntor do të sjellin para publikut shfaqjen “Gratë e Trojës”, duke filluar nga ora 19:30.
Kjo shfaqje, e cila është e bazuar në veprën e Euripidit, kapërcen kohën dhe hapësirën, duke e kthyer luftën e Trojës në një metaforë universale të ciklit të pafund të tragjedive njerëzore—një jehonë që vazhdon të përshkojë historinë e njerëzimit.
“Ky produksion, i zhvilluar gjatë një periudhe dyvjeçare, ndërthur talentin e 15 artistëve të teatrit nga Kosova dhe Serbia, duke rrënjosur motërzimin artistik dhe aktivist në përvojën e mbi 15 vjet shkëmbimesh dhe rrjetëzimesh të frytshme ndërmjet Artpolis dhe artisteve nga Serbia”, thuhet në njoftim.
Shfaqja do të vije me dramaturgji dhe regji të Zana Hoxhës dhe Maja Mitić, kurse teksti bashkëkohor është i shkruar nga Shpëtim Selmani.
Aktorët që do të luajnë janë Shpëtim Selmani, Maja Mitić, Qendresa Kajtazi, Branka Stojkoviq, Semira Latifi, Labinot Raci dhe Aleksandar Stoimenovski.
Kjo shfaqje inskenohet në gjuhën shqipe dhe serbe nga kasti i aktorëve
Personazhet e Hekubës, Kasandrës dhe Andromakës nuk janë thjesht figura të një tragjedie të lashtë, por mishërimi i vuajtjeve të grave të sotme në zona lufte, të cilat mbajnë mbi supe peshën e humbjeve të paimagjinueshme.
“Ashtu si ato, gratë sot vazhdojnë të humbasin familjet, shtëpitë dhe dinjitetin, të shpërngulura e të pambrojtura në një botë që shpesh i sheh thjesht si plaçkë lufte. Ato përballen çdo ditë me mizorinë, dhunën dhe pabarazinë, ndërsa shpresojnë për një të ardhme ku zërat e tyre të dëgjohen dhe vuajtjet e tyre të mos mbeten në heshtje. Kjo përsëritje i tragjedisë na kujton se lufta nuk përfundon me armët, por mbetet e gjallë në shpirtin e atyre që mbijetojnë dhe që kërkojnë drejtësi mes rrënojave”, thuhet tutje në njoftim.
“Gratë e Trojës” është zhvilluar dhe mbështetet nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë në kuadër të projektit “Humanrightivism”, implementuar nga CDF, Bashkimi Evropian, UNFPA, MKRS dhe Ambasada e SHBA-së në Kosovë. Partnerë në këtë aktivitet të Artpolis janë Teatri Dodona dhe Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut (Serbi)./KultPlus.com
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)