Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
today27/01/2025
Politikanët kryesorë evropianë janë ndër ata që kanë kritikuar Elon Musk, që u tha gjermanëve të heqin dorë nga “faji i së kaluarës” gjatë një tubimi të fushatës së Alternativës për Gjermaninë (AfD) gjatë fundjavës.
Miliarderi i lindur në Afrikën e Jugut e bëri komentin e diskutueshëm gjatë një fjalimi virtual, në një ngjarje ku morën pjesë mijëra mbështetës të AfD në qytetin Halle të Gjermanisë të shtunën.
Musk ka thënë më parë se vetëm AfD e ekstremit të djathtë, një parti e cila thotë se gjermanët nuk duhet të kërkojnë më falje për të kaluarën naziste të vendit, mund të “shpëtojë Gjermaninë” në zgjedhjet e muajit të ardhshëm.
“Të jem i sinqertë, fokusi është shumë te faji i së kaluarës dhe ne duhet ta lëmë atë pas vetes”, tha njeriu më i pasur në botë në mitingun e fushatës, transmeton Telegrafi.
“Fëmijët nuk duhet të jenë fajtorë për mëkatet e prindërve të tyre, e lëre më stërgjyshërit e tyre”, shtoi Musk, duke iu referuar me sa duket historisë naziste të Gjermanisë.
Pronari i X gjithashtu u bëri thirrje gjermanëve që të jenë krenarë për “vlerat gjermane”, dhe “të mos e humbin atë në një lloj multikulturalizmi që hollon gjithçka”.
Komentet e sipërmarrësit erdhën menjëherë, pasi ai u shfaq duke imituar përshëndetjet naziste gjatë një fjalimi në inaugurimin presidencial të Donald Trump.
Kryeministri polak Donald Tusk u përgjigj shpejt ndaj komenteve të tij të fundit, duke shkruar në X se fjalët e Musk dukeshin “shumë të njohura dhe ogurzi”.
“Sidomos vetëm disa orë para përvjetorit të çlirimit të Aushvicit”, tha ai.
Tusk po mbikëqyr përkujtimet të hënën për 80-vjetorin e çlirimit të Aushvicit, kampi nazist i përqendrimit në Poloni ku u vranë të paktën 1.1 milionë njerëz.
Kancelari gjerman Olaf Scholz ka shkruar në X për të thënë se ishte dakord me vlerësimin nga homologu i tij polak.
Musk gjithashtu tërhoqi kritika nga Dani Dayan, kryetari i Yad Vashem, memoriali i Izraelit për viktimat e Holokaustit.
“Në kundërshtim me këshillat e Elon Musk, kujtimi dhe njohja e së kaluarës së errët të vendit dhe popullit të tij duhet të jetë thelbësore në formësimin e shoqërisë gjermane”, tha Dayan.
“Dështimi për ta bërë këtë është një fyerje për viktimat e nazizmit, dhe një rrezik i qartë për të ardhmen demokratike të Gjermanisë”, shtoi ai. /Telegrafi
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)