Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Albin Kurti, ka mbajtur mbledhjen e 154-të të rregullt, në të cilën ka miratuar projektligje, vendime dhe dokumente të tjera të fushës së përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Vendimi i parë i miratuar ishte plotësimi dhe ndryshimi i Programit Legjislativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2023.
“Agjendës së plotësuar i shtohen katër projektligje të reja, ndërkaq afati i miratimit në qeveri shtyhet për 13 projektligje”, thuhet në njoftim të Qeverisë.
Po ashtu në këtë mbledhje është miratuar edhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes në mes të Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, dhe Deutsche Gesellschaft Fur Zusammenarbeit (Giz) GmbH, për Projektin Mbështetja për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Sektorit të Bujqësisë në Zonat Rurale përmes Diversifikimit të Aktiviteteve.
“Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje do të mundësojë rritjen e punësimit në zonat më pak të favorshme rurale në vendin tonë, përmes krijimit të mundësive të reja të punës ose vetëpunësimit dhe ruajtjen e vendeve ekzistuese të punës”.
Më poshtë mund t’i shikoni të gjitha vendimet e Qeverisë së Kosovës:
Miratuar Rregulloren për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive. Kjo rregullore ka për qëllim të përcaktojë numrin e anëtarëve të Qeverisë dhe të emëruarve të tyre, si dhe fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe të ministrive në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Përmes saj, fushëveprimit të Ministrisë së Drejtësisë i janë shtuar punët sociale, kurse Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Ekonomisë, duke u nisur nga rëndësia e punës së tyre karshi qytetarëve, i janë shtuar kompetencat.
Miratuar Udhëzimin Administrativ për Masat e Duhura Parandaluese dhe Mbrojtëse për Ndalimin e Pjesëmarrjes së Fëmijëve në Klubet e Natës dhe Hapësira të tjera të ngjashme. Qëllimi i këtij Udhëzimi Administrativ është mbrojtja e shëndetit fizik dhe mendor, sigurisë dhe mirëqenies së fëmijëve nëpërmjet ndalimit të pjesëmarrjes së tyre në klubet e natës, ambientet e destinuara për konsum të alkoolit, qendrat e argëtimit për të rritur dhe forma tjera të ndaluara në të cilat i ekspozohen situatave dhe substancave të papërshtatshme, të ndaluara për moshën e tyre.
Miratuar Udhëzimin Administrativ për Ambalazhin dhe Mbeturinat e Ambalazhit. Përmes këtij Udhëzimi do të përcaktohen kushtet, procedurat, përgjegjësitë dhe detyrimet për prodhuesit, importuesit, shitësit dhe palët e tjera të përfshira, për të garantuar sigurinë dhe cilësinë e produkteve të ambalazhuara. Synimi është të ndikojë në mbrojtjen e shëndetit dhe promovimin e një mjedisi të qëndrueshëm e të pastër për të ardhmen tonë dhe brezat e ardhshëm.
Plotësuar dhe ndryshuar vendimin e Qeverisë Nr. 10/109, të datës 23 nëntor 2022. Me hyrjen në fuqi të Ligjit Nr. 06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike, me nenin 31 parag. 6 të tij, është autorizuar Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi që të nxjerrë aktin nënligjor për rregullimin e kësaj fushe, me çka është e nevojshme shfuqizimi i Rregullores Nr. 04/2012 për evidencën zyrtare të kërkesave për qasje në dokumente publike, e cila bazohet në ligjin e mëparshëm për qasjen në dokumentet publike.
Ndarë 254,562.30 € për pajisje me tekste mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë që vijojnë mësimin në gjuhën shqipe në shkollat fillore, në komunat Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, për vitin shkollor 2023-2024. Edhe vitin e kaluar kemi ndarë mjete financiare në qëllim të pajisjes me tekste mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë të shkollave fillore në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Ndihma jonë për bashkëkombësit tanë është jo vetëm nevojë por edhe obligim i yni, që të mbrojmë të drejtat e tyre elementare.
Aprovuar vendimin për dhënien e pronës së paluajtshme në shfrytëzim Komunës së Prishtinës për përfituesit e skemës sociale, përkatësisht banesën në Lagjen “Ulpiana”, ob. E-30 L, kati përdhese, nr. 4, Prishtinë, e konfiskuar me Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, PKR. Nr. 642/15, dt. 28.06.2017. Me këtë vendim do të sigurohet strehimi i një familjeje të Komunës së Prishtinës që është përfituese e skemës sociale, dhe e cila jeton në kushte të vështira dhe rrit me vështirësi madje edhe një fëmijë me autizëm.
Miratuar nismën për negocimin e Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, për “Projektin për Përmirësimin dhe Rehabilitimin e Sistemeve të Ujitjes.
Miratuar koncept-dokumentin për fushën e Mbikëqyrjes së Tregut. Ky Koncept Dokument përmirëson kornizën ligjore në fushën e mbikëqyrjes se tregut të produkteve, si parakusht për modernizimin e funksionimin e lirë të tregut, mbrojtjen e konsumatorit dhe mundësimin e konkurrencës së drejtë.
Aprovuar Programin për Diplomaci Qytetare. Qëllimi kryesor i këtij programi është që përforcojë lidhjen e mërgatës me institucionet e Republikës së Kosovës, duke ofruar mundësinë e angazhimit profesional në institucionet publike të vendit. Në vitin e parë të zbatimit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka ofruar këtë mundësi për 10 profesionistë të mërgatës sonë, ndërsa tani synon të zgjerojë ndikimin duke angazhuar edhe 25 profesionistë të rinj nëpërmjet thirrjes për gjeneratën e dytë të programit.
Miratuar vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i projektit: Renovimi dhe Rikonfigurimi i Stadiumit Olimpik ” Adem Jashari” në Mitrovicë.
Në këtë mbledhje, kabineti qeveritar gjithashtu u informua mbi zbatimin e Planit të Veprimit të Agjendës për Reforma Evropiane (PV ERA II) për periudhën prill – qershor 2023. /Telegrafi/
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)