Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
today12/08/2022
Misioni i përhershëm i Shqipërisë ka dorëzuar në Këshillin e Evropës rezolutën kundër raportit të Dick Martyt për pretendimet e pabaza për tregtinë e jashtëligjshme të organeve në Kosovë dhe Shqipëri. Rezoluta ishte miratuar në Kuvendin e Shqipërisë më 21 korrik.
Në notën verbale të dërguar thuhet se pretendimet nga raporti i Dick Martyt, edhe pas 10 vitesh hetim, nuk janë vërtetuar dhe nuk janë të bazuara në fakte, si dhe bëhet thirrje për Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës për të përgatitur një raport të ri në të cilin ata do të shqyrtojnë akuzat për tregti të paligjshme të organeve njerëzore.
“Misioni i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë pranë Këshillit të Evropës shpreh komplimentet për përfaqësitë e përhershme të vendeve anëtare dhe vëzhguesit në Këshillin e Evropës dhe ka nderin të informojë se Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi më 21 korrik, 2022, Rezolutën për pretendimet e pabaza për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”, thuhet në shënim.
Në këtë notë verbale më tej thuhet se rezoluta që i bashkëngjitet notës është përgjigje ndaj Rezolutës 1782 (2011) të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, “Hetimi i akuzave për trajtim çnjerëzor të njerëzve dhe tregti ilegale me organe njerëzore në Kosovë”, i cili bazohet në raportin (Dokumenti 12462, datë 7 janar 2011) nga Dick Marty, shkruan KosovoOnline.
Po ashtu në notën verbale të misionit të Shqipërisë në KiE thuhet se rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë kërkon që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës të bëjë një raport pasues dhe të rishikojë Rezolutën 1782 (2011), duke rivlerësuar akuzat për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/ose Kosovë.
“Misioni i përhershëm i Shqipërisë kërkon nga përfaqësitë e përhershme të shteteve anëtare dhe vëzhguesit në Këshillin e Evropës që t’ua përcjellin organeve të tyre kompetente shtetërore Rezolutën mbi akuzat e pabaza për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri. Misioni i Përhershëm i Shqipërisë në Këshillin e Evropës e përdor këtë mundësi për të përsëritur shprehjet e respektit të thellë ndaj përfaqësive të përhershme të shteteve anëtare dhe shteteve vëzhguese të Këshillit të Evropës” , thuhet në notë./KOHA/
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)