Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
today22/04/2022
Presidenti i Letonisë, Egils Levits në një konferencë për media pas takimit me presidenten e vendit, Vjosa Osmani shprehu mbështetjen e shtetit të tij për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare si dhe për liberalizimin e vizave.
Ai para mediave në Kosovë tha se Letonia dhe Kosova nuk kanë ndonjë armik, por se vetëm siç u shpreh “jemi duke mbrojtur demokracinë tonë, pavarësinë tonë”.
Levits rikujtoi se Letonia është ndër shtetet e para që njohu pavarësinë e Kosovës dhe i kuptojnë aspiratat e Kosovës që të jetë shtet paqësor e demokratik.
Ai foli edhe për bashkëpunimin e Kosovës me NATO-n, ndërsa tha se është e domosdoshme që Kosova t’i bashkohet Partneritetit për Paqe.
“…së paku është e domosdoshme që Kosova t’i bashkohet Partneritetit për Paqe. Mendoj se tani është koha e duhur por varet nga NATO… Është shumë me rëndësi të fuqizohet bashkëpunimi… Letonia e përkrahë këtë hap”, tha ai, raporton Telegrafi.
Levits shprehu mbështetje të plotë edhe për integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si në Këshill të Evropës e në forume tjera.
Presidenti i Letonisë, Egils Levits gjatë një konference për media në Prishtinë, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani
“Ne do të mirëpritnim aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, prandaj ne mund të shkëmbejmë përvojat tona për të gjetur rrugën drejt anëtarësimit. Unë do ta mirëpres Kosovën si anëtare e Këshillit të Evropës”, tha ai.
Presidenti i Letonisë po ashtu ofroi mbështetjen e shtetit të tij për liberalizimin e vizave.
“Tani nuk ka më pengesa të arsyeshme që të mos jepet liberalizimi i vizave dhe ne e mbështesim Kosovën. Ne mbështesim progresin në luftimin e korrupsionit, duke zbatuar masa të ndryshme të zbatimit të ligjit… Kemi vërejtur që viti i kaluar ishte i suksesshëm në këtë drejtim”, tha Levits.
Ai foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi, për të cilin tha se vëren që ka probleme, por shprehu besimin se bisedimet do të vazhdojnë. /Telegrafi/
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)