Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
today21/05/2024
“Përgjigjja është libri” është tema e ngjarjes më të madhe të librit që sivjet do të mbahet prej 5 deri më 9 qershor në Prishtinë. Megjithëse Panairit i Librit në Prishtinë është në prag të çerekshekullit, organizimi i kësaj ngjarjeje po përcillet me jo pak sfida. Lokacioni mbetet i njëjti, Pallati i Rinisë dhe Sportit por jo lehtë i bëshëm. Prapaskena e organizimit është muhabet më vete, përderisa edicioni i 24-t pritet të jetë goxha pompoz. Studiuesi e shkrimtari i njohur shqiptar, akademik Rexhep Qosja bashkë me francezin Eric Faye, do të jenë të ftuar nderi sivjet. Promovimet e përvjetorët e figurave letrare shqiptare e botërore do të vazhdohen si traditë.
Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës që e organizon Panairin, ka thënë se organizimi i edicionit të sivjetmë është lajm i mirë që, përkundër sfidave të panumërta, Panairi i Librit vazhdon traditën.
“Vijojmë të organizojmë kryengjarjen e librit në Kosovë që paralelisht me Panairin e Librit të Tiranës, janë dy shtyllat që mbajnë lart formën e epërme të ndërgjegjes shoqërore që e quajmë letërsi. Them vijojmë jo rastësisht, sepse sfidat janë të panumërta. Por kryesorja ndër to mbetet mungesa e një salle të denjë për organizime të tilla”, ka thënë ai.
Sipas Zenelit, Prishtina ende është mbase i vetmi kryeqytet në Evropë që nuk ka sallë organizimesh për panaire, gjë që ka bllokuar e bllokon potenciale nga çdo fushë. Sipas tij, njëjtë ngjan edhe me librin.
Sivjet janë përcaktuar që tema e Panairit të jetë “Përgjigjja është libri”. “Pyetjet mund të jenë të pafundme, por përgjigjja është libri. Pyetja mund të jetë inteligjenca artificiale dhe gjithë ç’sjell me vete, problemet me të cilat përballemi, qoftë si shoqëri qoftë si individë, e ardhmja që duket gjithnjë e më dinamike, një botë që s’resht së ndryshuari gjithnjë e më shpejt, e çka jo”, ka thënë Zeneli. Sipas tij, historia si mënyrë për ta kuptuar të tashmen e rrugën që na shtrohet përpara, shpikjet e të arriturat, mendjet e gjenive përgjatë historisë gjenden në libra.
“Dëshirat, kënaqësia e kureshtja, aventurat, mësimet. Të gjitha pikëtakohen në një mjet që magjishëm bart përgjigjet brenda: librin”, ka thënë ai.
Janë përcaktuar që sivjet të ftuar nderi të kenë shkrimtarin e njohur francez, Éric Faye, i njohur për lexuesin shqiptar me librin “Nagasaki”, përkthyer nga Blerta Hyska e botuar nga shtëpia botuese “Toena”. Zeneli e ka përshkruar atë si fitues i “Çmimit të Madh për Roman” nga Akademia Franceze. Vepra e tij “Parij”, botuar shqip nga “Buzuku”, përkthyer po nga Blerta Hyska është një tjetër krijim i shkrimtarit që flet në shqip. Është autor i mbi njëzet veprave, po ashtu fitues i çmimit “Deux-Margots”.
“Këtë vit, pas 24 vjetësh, rikthehet si i ftuar në hapje dhe po njëjtë si fytyrë e panairit, shkrimtari i njohur Rexhep Qosja me shkas; botimi i veprës testament, publicistikës së zgjedhur si botim që vjen i dendur si vëllim. Përtej këtyre dy emrave që spikaten, janë dhjetëra autorë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e më gjerë që do të jenë të pranishëm në panair”, ka thënë Zeneli. Qosja bashkë me Ismail Kadarenë ishin mysafirë të Panairit në edicionin e tij të parë më 1999.
Zeneli ka treguar se tradita e shënimit të përvjetorëve vijon edhe këtë vit, ku veçohen midis të tjerash 100-vjetori i lindjes së At Zef Pllumit dhe 100-vjetori i vdekjes së Franz Kafkas.
Sipas tij, Panairi dita-ditës ka fituar epitetin e ngjarjes që përbashkon pasionantët e librit për të parë materializimin punës njëvjeçare të botuesve, shkrimtarëve, përkthyesve, redaktorëve e korrektorëve, disenjatorëve e punonjësve të shtypshkronjave të cilët kujdesen që trendët botërorë të leximit dhe krijimtaria letrare vendëse të jenë gjithnjë afër lexuesit.
“Rreth 100 ekspozues kanë një gamë të gjerë botimesh që sjellin pranë lexuesve dhe mbushin thuajse çdo kërkesë por edhe nxisin kërshërinë e dëshirën për lexim. Thënë këto, pritjet janë që lexuesi të jetë i pranishëm në numër më shumë se viteve të kaluara paspandemike, sepse një rënie ndihej dy vitet e shkuara”, ka thënë ai. Sipas Zenelit, për të kurorëzuar një vit pune dhe një ngjarje që, përkundër vështirësive, vijon të ruajë traditën, “Përgjigjja është libri”.
Afro 40 mijë vizitorë, siç kishin bërë të ditur organizatorët, kishin vizituar këtë ngjarje vjet.
Mysafir i nderit ishte shkrimtari i shquar shqiptar Ismail Kadare. Shkrimtari më i përkthyer shqiptar në botë kishte hapur ngjarjen. Gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë ishte pritur në Presidencë për t’u dekoruar me urdhrin më të lartë shtetëror “Hasan Prishtina”. Kadare ka folur për historinë e popullit shqiptar e qytetërimin që këto anë gëzojnë sot. Qytetërimin evropian e ka promovuar gjithmonë. Sipas Kadaresë, është një fat i rrallë që një popull të të nderojë dhe të të bëjë bashkëvajtjes të të drejtave të tij, të lirive të tij, sidomos kur ky popull e ka një histori të vështirë.
“Për fat të keq, Shqipëria ka pasur një rrugë të gjatë historike të shkelur me këmbë nga forca të tjera të huaja të jashtme. Por, për fat të mirë gjithashtu, ajo i ka kapërcyer gjatë shekujve në mënyra të ndryshme. I ka kapërcyer vështirësitë e retë e errëta të historisë dhe gjithçka tjetër që mund ta provojë një popull”, kishte thënë shkrimtari i madh. Nderimin e tij dhe mbledhjen në Presidencë i kishte përshkruar si triumf.
“Vetë mbledhja jonë këtu në këtë sallë nga shqiptarë nga të gjitha zonat e tregon këtë triumf të kombit shqiptar. Nga ky triumf asnjë popull nuk heq dorë. Ky është një triumf për gëzimin e të ardhmen e një populli. Me një fjalë, është një triumf për qytetërimin njerëzor e universal për të gjithë popujt ku jetojnë”, kishte thënë ai.
Pas kësaj pritjeje të dekorimit, Kadare bashkë me ekipin e tij përcjellës, i shoqëruar nga bashkëshortja Helena Kadare ishte zhvendosur në kabinetin e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama. I pari i kryeqytetit ia kishte dhënë Kadaresë “Çelësin e qytetit” duke e bërë “Qytetar nderi” të Prishtinës. Më pas ishte shpallur “Qytetar Nderi” në Fushë-Kosovë.
Çmimi “Letërsia shqipe” i ishte ndarë më 2017. Në anën tjetër, Kadareja u nderua edhe nga Ferizaj me çmimin “Finesa”, përderisa sheshi afër Teatrit të Qytetit mori emrin e tij. Më 2009, Kadare me “Darka e gabuar” mori në Prishtinë shpërblimin për letërsi “Rexhai Surroi”. E lidhjen me Panairin e Librit e ka qysh prej zanafillës së ngjarjes. Ai kishte qenë i ftuar edhe në nëntorin e vitit 1999 në edicionin e parë bashkë me të ndjerin Dritëro Agolli./KOHA.NET
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)