Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
today15/12/2023
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur jo të lehtë vitin 2023. Fjalimin vjetor para deputetëve dhe qytetarëve nga foltorja e Kuvendit, ajo e ka nisur me sulmin në Banjskë nga grupi i udhëhequr nga Milan Radoiçiqi.
“Ishte një vit i ballafaqimit me vështirësi. Në veçanti në fushën e sigurisë meqë në shtator Kosova u përball me situatën më të rrezikshme që pas luftës. Një grup i mbështetur nga Serbia kreu akt agresioni që të shkaktohet destabilizim. Kosova u përball me një agresor, të dukshëm në ambicie me qëllimin cenimin e themelit të shtetit tonë… Ata vranë një, por mobilizuan shumë djem e vajza nga radhët e Policisë, të cilët po atë ditë dhanë mesazh të qartë: Kosova nuk zmbrapset, Kosova nuk thyhet dhe Kosova do t`i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe me çdo kusht”, ka thënë Osmani në fjalimin që e kanë bojkotuar deputetët e PDK-së dhe ata të AAK-së.
“Në situata të tilla nuk duhet të ketë ndarje partiake e ideologjike, por duhet të ketë unitet, pa dallim. Rreshtimi i vetëm që na duhet është rreshtimi në anën e shtetit tonë të pavarur e sovran”, ka potencuar Osmani.
“Ne jemi pak për të qenë të ndarë dhe me qëndrime të dallueshme për situata si kjo, kur vetëm uniteti është përgjigja e duhur për ta mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e Kosovës. Këtë rrezik nuk e kemi kaluar, ndaj nuk duhet t`i nënshtrohemi ndarjes e dallimeve, por të jemi të bashkuar në vendosmërinë tonë në përballje me Serbinë e të qëndrojmë këmbëngulës dhe të palëkundur kundrejt sfidave të sigurisë”, është shprehur presidentja.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se bashkësia ndërkombëtare po i bën dëm Kosovës me qasjen e pabarabartë karshi saj e Serbisë.
“Mungesa e qasjes së barabartë në dialog i ka bërë dëm jashtëzakonisht të madh këtij procesi. Kosova përballet me masa joproporcionale ende. Duke mos vënë masa ndaj Serbisë për sulmin në Banjskë dhe sulmit ndaj ushtarëve të KFOR-it, policisë e gazetarëve, ky shtet vetëm po inkurajohet që të përdorë dhunë. Një trajtim i pabarabartë do jetë goditje për procesin e dialogut dhe pengesë për suksesin e këtij procesi”, ka thënë ajo.
Osmani ka bërë thirrje që për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të gjithë, pa dallime partiake, të bashkohen për ta formuar në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, e jo të jetë me kompetenca.
“Së fundmi Kosovës i është dorëzuar një statut i hartuar nga partnerët tanë. Përderisa vlerësimi i hartuesve është se një draft i tillë është në harmoni me Kushtetutën, dua të ritheksoj se institucioni që do duhet ta bëjë këtë vlerësim duke qenë i udhëhequr nga parimi pavarësisë dhe profesionalizmit është Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Ne pa dallim partiak duhet të përgatisim komentet bazuar në shqetësimet që mund t’i kemi dhe t’i dërgojmë në Kushtetuese kurdo që ky draft të prezantohet para këtij institucioni. Qëllimi ynë duhet të jetë që të sigurohemi përputhshmëri të plotë me Kushtetutën dhe të mos lejojmë pushtet të ndërmjetëm apo anomali të tjera që rrezikojnë funksionimin e shtetit tonë”.
Osmani: Pavarësisht dallimeve, duhet ta vazhdojmë koordinimin me Shqipërinë
Presidentja Vjosa Osmani ka theksuar se Kosova duhet të qëndrojë krah Shqipërisë gjithmonë pavarësisht dallimeve që mund të kenë.
Ajo ka thënë se Shqipëria është zë për Kosovën aty ku nuk ka përfaqësim.
“Me qëllim të shtyrje përpara të prioriteteve tona, është e rëndësishme që shqiptarët në rajon ta unifikojnë politikën e jashtme në të gjithë organizmat ndërkombëtarë. Shqipëria është zëri ynë aty ku nuk kemi përfaqësim, ndaj pavarësisht dallimeve që kemi pasur në disa çështje, duhet të vazhdojmë të koordinohemi dhe ta konsiderojmë shtetin shqiptar jo vetëm si shtet simotër por edhe aleat strategjik të fuqishëm në përballje me sfidat që i kemi”.
Osmani: Natyrisht se jo çdoherë mund të pajtohemi me ndërkombëtarët
Presidentja e Kosovës ka thënë se Kosova jo çdoherë mund të pajtohet me bashkësinë ndërkombëtare në çdo çështje.
Ajo ka theksuar se mospajtimet duhet të kalohen me respekt reciprok.
“Kosova duhet të vlerësojë e fuqizojë më shumë se çdo herë aleancat e saj. Bashkëpunimi dhe bashkërendimi me ata që na qëndruan pranë në momentet e rënda, nuk është dobësi. Është veprim në shërbim të shtetit. Shteti ynë i ka themelet e forta sepse qëndron mbi sakrificën e popullit tonë dhe partneritetet që i ndërtuam… Natyrisht se kjo nuk do të thotë që gjithnjë në çdo kohë do të pajtohemi sepse mospajtimi ndonjëherë ka edhe brenda të njëjtës familje, por të gjitha duhet t’i tejkalojmë me respekt reciprok, duke mos lëkundur asnjëherë besimin”.
Gjatë vitit, kryeministri Albin Kurti disa herë ka shfaqur mospajtime me qëndrimet e ndërkombëtarëve, përfshirë ndërmjetësit në dialogun me Serbinë, të cilët i ka akuzuar për anshmëri.
Osmani ka thënë se anëtarësimi në NATO duhet të jetë prioriteti numër një e përkushtimi ndaj integrimit evropian, i palëkundur, përkundër vonesave të padrejta që bëhen përgjatë kësaj rruge.
Ajo ka folur edhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës.
“Ka qenë e pafalshme që për vite procedurat për marrje të shtetësisë për shqiptarët nga Lugina, kanë qenë të njëjta me ato që vlejnë për qytetarë nga kontinentet e largëta. Kam propozuar që me ligj të parashihen lehtësira në procedura”./KOHA/
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)