Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
Thuajse çdo sezon në Superligën e Zvicrës del në pah një talent i madh shqiptar dhe këtë edicion ka filluar të lë gjurmë Albin Krasniqi.
Sulmuesi i talentuar nga Kosova, ka vetëm disa muaj që është te St Gallen, derisa në paraqitjen e tij të tretë në elitën e futbollit zviceran ka gjetur edhe golin.
20-vjeçari u inkuadrua nga banka rezervë në fitoren e St Gallen në udhëtim te Stade-Lausanne-Ouchy me rezultat të thellë 2-5.
Ishte minuta e 85-të e ndeshjes, kur Krasniqi u shërbye mirë nga Bastien Toma dhe realizoi për rezultatin përfundimtar.
Në një intervistë për Telegrafin, djaloshi me prejardhje nga Prishtina, por që ka lindur dhe është rritur në Zvicër flet për emocionet e golit, objektivat që ka dhe të ardhmen e tij.
“Jam shumë i lumtur që gjeta golin tim të parë në Superligë dhe vërtetë ishte një ndjenjë e papërshkrueshme. Para ndeshjes kam pasur ndjesinë se nëse do të luaja do të shënoja dhe intuita më dha të drejtë pasi gjeta golin dhe jam shumë i lumtur”, tha Krasniqi për Telegrafin.
Ndeshja ndaj Stade-Lausanne-Ouchy ishte e treta këtë edicion për sulmuesin e talentuar nga Kosova, derisa ai flet për mundësinë e dhënë.
“Çdo ndeshje e më shumë po marrë minuta më shumë dhe besimin e trajnerit. Me ndeshjen e djeshme i tregova trajnerit që ka një sulmues që di të bëj edhe gola. Jam i lumtur me hapësirat që kam pasi kemi konkurrencë të madhe në repartin ofensivë”.
“Gjithsesi mua si futbollist i ri më mbetet të punoj shumë dhe të kem edhe më shumë hapësira në ndeshjet e ardhshme në kampionat”, vazhdon tutje Albin Krasniqi.
Krasniqi tutje tregon se objektivat që kishte që të debutonte në Superligë i ka arritur dhe thotë se tani çfarëdo që të vije është bonus.
“Realisht para fillimit të sezonit unë kam pasur synim që të debutoj me ekipin e parë dhe këtë e kam arritur, madje duke shënuar edhe gol”.
“Objektivat i kam të qarta, të luaj sa më shumë dhe të bëj gola e asistime për t’i ndihmuar skuadrës drejt arritjes së objektivave. Pasi i kam arritur të mijat, tani çkado që vije është bonus”, thotë Krasniqi duke qeshur.
Si rrallë herë më parë këtë edicion gara për titull në Superligën e Zvicrës është shumë e ashpër. Young Boys Bern është lider me 25 pikë, derisa St Gallen ka vetëm një pikë më pak në tabelë.
“Është një kampionat shumë interesant. Jemi në rrugë të mirë dhe jemi afër liderit. Në shtëpi nuk dimë për rezultate negative pasi nga gjashtë ndeshje kemi gjashtë fitore. Duhet të vazhdojmë me këtë ritëm dhe pse jo, mund të dalim edhe kampion nëse kemi vazhdimësi”, deklaroi Krasniqi.
Te St Gallen janë një numër i madh i futbollistëve shqiptarë, ku përveç Albin Krasniqit luajnë edhe Betim Fazliu, Albert Vallci dhe Basiten Toma.
Krasniqi thotë se kalojnë kohë shumë të mirë së bashku, derisa ka fjalë të mëdha për Betim Fazlijin.
“Jemi katër shqiptarë dhe kalojmë kohë shumë të mirë së bashku si në stërvitje ashtu edhe jashtë saj”.
“Për mua Betimi është një vëlla i madh pasi më ka pritur jashtëzakonisht mirë kur kam kaluar në ekipin e parë. Ai më ka ndihmuar për gjithçka si brenda fushës ashtu edhe jashtë saj dhe jam shumë i lumtur që kam një shok të tillë”, tha Krasniqi.
Krejt në fund ai tha se është duke menduar fillimisht vetëm të bëhet një futbollist i rëndësishëm te St Gallen para se të mendoj për Kombëtaren.
“Aktualisht i gjithë fokusi im është te klubi ku duhet të punoj shumë për tu bërë një futbollist i rëndësishëm. Pas kësaj do të mendoj edhe për Kombëtaren së bashku me familjen dhe menaxherin”, përfundoi Krasniqi.
Talenti prishtinas e ka nisur karrierën te Akademia e Solothurn ku edhe ka lindur për të luajtur pastaj te të gjitha grupmoshat e Baselit para se t’i bashkohej St Gallenit në mars të këtij viti. /Romak Zeqiri/Telegrafi/
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)