Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
today15/06/2022
Partia Demokratike e Kosovës përmes një konference për media ka kërkuar nga deputetët e të gjitha partive politike që nesër në seancën e Kuvendit të Kosovës të votojnë pro pikës për tërheqjen e mjeteve nga Trusti, për t’i ndihmuar qytetarët e Kosovës të cilët, siç thekson PDK, nga fillimviti 2020 po përballen me krizën financiare.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu lidhur me këtë çështje ka kritikuar Qeverinë Kurti për zvarritje të trajtimit të projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, që do të mundësojë tërheqjen e 10 deri në 30 për qind të kursimeve, varësisht nga të hyrat e individëve.
Ai tha se me miratimin e këtij projektligji përfitojnë rreth 700 mijë qytetarë që kanë kursime në Trust, ndërsa propozoi që Qeveria përmes buxhetit të shtetit të mbështesë me nga 100 euro në vazhdimësi rastet sociale, të papunët dhe pensionistët, deri në hartimin e përbashkët të reformës pensionale.
Ndërkaq, anëtarja e kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Safete Hadërgjonaj tha se kjo qeverisje mashtruese dhe pa alternativë, çdo ditë po e varfëron qytetarin e Republikës së Kosovës.
“Në këtë situatë ku Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë masë për të lehtësuar jetën e qytetarëve, e vetmja zgjidhje për qytetarët ka mbetur tërheqja e mjeteve të kursimit në Fondin e Kursimeve Pensionale. Ne do të donim që Qeveria në këtë periudhë krize, kur çdo ditë ka rritje të çmimeve të ndërmerrte veprime urgjente për t’ua lehtësuar jetën qytetarëve, por kjo nuk po ndodhë.”, theksoi Hadergjonaj.
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)