Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
Rrjeti i Grave të Kosovës (RRGK) sot ka lansuar fushatën, përmes së cilës kërkon heqjen e taksave në produktet menstruale.
Aktualisht produktet menstruale në Kosovë tatohen për 18% të vlerës së tyre, njësoj siç tatohen edhe produktet e luksit.
“Kujtojmë se ekziston edhe një tjetër taksë mbi vlerën e shtuar prej 8% për produktet esenciale, siç janë ato farmaceutike. Mirëpo, produktet menstruale nuk tatohen as me këtë taksë, e cila megjithatë do të zvogëlonte çmimin e tyre. Ato po vazhdojnë të tatohen sikur të ishin produkte luksi, e jo esenciale, ashtu siç edhe janë për gratë dhe vajzat, mirëqenien e tyre e të drejtën e tyre për kujdes shëndetësor të përballueshëm”, kanë thënë nga RRGK-ja.
Sipas RRGK-së, fushata, ndër të tjera, sjell në debatin publik faktin se menaxhimi i higjienës menstruale është çështje e të drejtave themelore të njeriut, e duke pasur këtë ndër mend, produktet menstruale nuk mund të vazhdojnë të tatohen si të ishin produkte luksi.
“Për të avokuar për këtë, RRGK-ja më 28 Maj -Ditën Botërore të Higjienës Menstruale, do të dërgojë te Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dokumentin e politikave të titulluar ‘Taksimi i Përgjegjshëm Gjinor: Heqja e taksave për produktet higjienike menstruale’. Dokument ky i cili fillimisht u nis nga organizata anëtare e RRGK-së, EcoKos Women (EKW), dhe paraqet qartë arsyet pse Qeveria e Kosovës duhet të zvogëlojë ose të heqë krejtësisht taksat në produktet menstruale, e kështu të ndikojë në rritjen e mirëqenies së grave dhe të zbatojë Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor, ashtu siç edhe është zotuar. Dokumenti përmban edhe rekomandimet si duhet bërë një gjë e tillë”, thuhet në komunikatën për media.
Ndër rekomandimet kryesore nga RRGK-ja është që Qeveria e Kosovës të ndryshojë ligjin numër 05/L-037 për tatimin mbi vlerën e shtuar, e bashkë me të t’i ndryshojë edhe instruksionet administrative për zbatimin e tij, ashtu që produktet menstruale të lirohen nga pagesa e doganës dhe nga taksimi.
Sipas analizës gjinore të RRGK-së, kjo do të shkojë në të mirën e familjeve me të ardhura të ulëta, si dhe do të kontribuojë në arritjen e barazisë në mbledhjen e të ardhurave shtetërore, duke e larguar këtë taksë diskriminuese për gratë. Për më tepër, kjo do të kontribuonte në përmirësimin e qasjes së grave në kujdes shëndetësor, menaxhimin të higjienës personale, arsimim si dhe në punësim. Nëse heqja e tërësishme e taksës nuk është e mundur, atëherë gjithsesi kjo taksë duhet të zbritet në 8%, pasi në këtë mënyrë do të zbritej çmimi i tyre pa u vërejtur aq në mbledhjen e të ardhurave shtetërore.
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)