Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
today23/05/2023
Mbrëmë, filloj edicioni i shtatë i festivalit të vetëm ndërkombëtar të teatrove në vendin tonë, “Prishtina International Theater Festival – PITF”, i cili hapi siparin e tij në skenën teatrore të kolegjit AAB. Ceremonia e hapjes solemne filloj me një falënderim drejtuar të gjithë pjesëmarrësve, të ftuarve, dhe me një falënderim të veçantë ndaj kontribuuesve, aktorëve dhe të gjithë atyre që e mundësuan mbajtjen e këtij edicioni. Festivali këtë vit po mbahet në nderim të regjisores së ndjerë, Burbuqe Berisha, shkruan KultPlus.
Në prezantimin hapës të ceremonisë solemne morën pjesë drejtoresha e festivalit, Dorentina Alshiqi dhe Ilir Bytyqi. Fillimisht fjalën e mori Ilir Bytyqi ku pasi bëri një falënderim ndaj të gjithë pjesëmarrësve, ndër të tjera tha: ”Ky festival është i vetmi i këtij lloji në të gjithë Kosovën dhe i ka kaluar të gjitha pritëshmëritë“.
Drejtoresha e festivalit, Dorentina Alshiqi, në fjalimin e saj tregoi se shfaqja i është dedikuar regjisores së ndjerë, Burbuqe Berisha për kontributin e saj në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe Teatrin “Faruk Begolli”. Në fund të fjalimit, ajo e shpalli të hapur festivalin i cili pritet të dhurojë një mori shfaqjesh përgjatë një jave.
Mbrëmja filloj me shfaqjen e titulluar “Rusalka” me regjinë nga Ivica Simic nga Mala Scena Theater nga Kroacia.
Kjo shfaqje bazohej në eksperiencën e vetë aktores gjatë studimeve të saj, presionit psikologjik, presionit në përgjithësi dhe jetës aktuale.
Temë kryesore ishte dedikimi ndaj vetvetes, i vetëbesimit, kurajos dhe guximit për të arritur atë që e synojmë.
Njëra nga aktoret e shfaqjes “Rusalka”, Buga Simic, pas shfaqjes teatrale, në një intervistë për KultPlus u shpreh tejet e emocionuar për pjesëmarrjen e saj në këtë festival. Ajo ndihej e privilegjuar që do të jetë në konkurrencë me shfaqje dhe aktorë profesionistë nga vende të ndryshme.
“Është hera e parë që jam këtu në Kosovë. Shoqëria kosovare është shumë mikpritëse, e admiroj shumë artin kosovar. Ajo çka kam dashur të paraqes është një autobiografi si shkak i eksperiencave të mia në studime në përgjithësi. Besoj se mesazhi i shfaqjes është përçuar”, u shpreh aktorja.
Në programin e sivjetëm të festivalit i cili nisi mbrëmë dhe zgjatë deri më 28 Maj, do të mund të ndiqni 7 shfaqje në konkurrencë për çmimet si: aktori-aktorja më e mirë në rolin kryesor, aktori-aktorja më e mirë në rolin dytësor, çmimi për regjinë më të mirë dhe çmimi për shfaqjen më të mirë.
Për ndarjen e çmimeve vlerësimet do t’i japin tri juri: juria qendrore profesionale e festivalit që përbëhet nga: Ibrahim Berisha – shkrimtar dhe publicist, Bislim Muçaj aktor, Ziad Meric – producent. Poashtu edhe dy juri të tjera ajo e medias dhe juria e studentëve nga Universiteti AAB dhe UP që do të japin vlerësimin e tyre për çmimin shfaqja më e mirë
Në netët në vijim do të kemi shfaqje të tjera si: “Boxes”, “Now you see her”, “ Club Albania”, “Lungs”, “Fireworks -Sparks of life” dhe “Arbri”. /KultPlus.com
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)