Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
today04/10/2023
Me një numër të madh të fëmijëve, nën tingujt e muzikës të krijuar nga nxënësit e shkollës së muzikës “Prenk Jakova”, sot është shënuar hapja e edicionit të parë të Panairit të Librit për Fëmijë, në kryeqytet, shkruan KultPlus.
Edicioni i parë i Panairit të Librit për Fëmijë u mundësua nga organizata joqeveritare ETEA, Biblioteka “Hivzi Sylejmani”, Libraria “Dukagjini”, Ministria e Kulturës si dhe Komuna e Prishtinës.
Nën duartrokitjet e shumta të fëmijëve pjesëmarrës, ceremoninë hapëse të këtij edicioni të panairit të librit, e bëri drejtori i organizatës ETEA, Agon Ahmeti, i cili fillimisht tha që është shumë i lumtur që gjendej në mesin e fëmijëve dhe që së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë kishin arritur të organizojnë këtë ngjarje, sipas tij, modeste por të lezetshme.
“Jam shumë i lumtur që jam në mesin tuaj, sidomos ndaj juve që jeni edhe më të vegjël, ju lakmoj që jeni në këtë moshë. Unë përfaqësoj organizatën jo qeveritare ETEA, ne jemi bërë bashkë me bibliotekën e qytetit “Hivzi Sylejmani”, me librarinë “Dukagjini”, disa prej shtëpive botuese, me Komunën e Prishtinës dhe Ministrinë e Kulturës për të organizuar një ngjarje e cila shihet që është modeste, por është shumë e lezetshme”, ka thënë drejtori Ahmeti.
Drejtori Ahmeti gjithashtu, bëri thirrje që menjëherë pas përfundimit të këtij edicioni të planifikojnë një panair më madhështor për vitin e ardhshëm.
“Ju njoftoj që sot e nisëm dhe po bëj thirrje edhe përmes mediave që në momentin që përfundohet kjo ngjarje të bëhemi bashkë të gjithë dhe të fillojmë një planifikim për vitin e ardhshëm, ashtu siç e meriton një panair i librit që dedikohet ekskluzivisht për fëmijë. Meqenëse po planifikohet të zgjerohet sheshi deri te “Rrethi i Flamurit”, pse jo të shkojmë deri atje me libra”, tha ai.
Më pas hijeshia e ngjarjes iu shtua, kur skenës iu bashkua edhe një prezantuese e vogël, Ema Bryma, e cila tha që organizimi i një ngjarje të tillë e gëzon pamasë.
“Unë si lexues e rregullt i gëzohem pa masë organizimeve të tilla, sepse leximi më lumturon, më pasuron mendjen dhe më fut në një botë tjetër me shumë aventura”, tha Ema e cila më tutje i falënderoi të gjithë organizatorët e panairit në emër të të gjithë fëmijëve të Kosovës.
Kjo vogëlushe fjalën i kaloi, nënkryetares së Prishtinës, Donjeta Sahatçiut e cila e kishte shijuar pamasë prezantimin nga një fëmijë. Ajo fillimisht tha se ishte hera e parë që dikush kaq lezetshëm e kishte ftuar për të marrë fjalën në skenë.
Nënkryetarja Sahatçiu më tutje tha se ishte kënaqësi që si Komunë kanë mbështetur organizimin e këtij aktiviteti.
“Kjo është hera e parë që më ka ftuar dikush në skenë kaq lezetshëm dhe ëmbël si ti, kështu që faleminderit shumë. Faleminderit të gjithëve që jeni prezent sot. Unë jam Donjeta, dhe punoj në Komunën e Prishtinës, ajo që është përgjegjëse për rrugët, për hapësirat publike, për shkollat dhe çerdhet dhe sot me shumë kënaqësi kemi qenë mbështetës të organizimit të këtij aktiviteti.”
Ajo më tutje shtoi se Komuna e Prishtinës ka filluar një aktivitet të ri që është “Ora e Leximit”, dhe me këtë rast u bëri thirrje fëmijëve që çdo ditë të lexojnë nga një faqe më shumë si kusht për t’u lejuar më pas nga prindërit për të lozur lojërat që dëshirojnë.
“Ne kemi filluar një aktivitet të ri që është “Ora e Leximit” nëpër shkolla për të përmirësuar mënyrën se si ne lexojmë libra çdo ditë. Kështu që u ftoj të jeni në shkollat dhe çerdhet e juaja, të lexoni sa më shumë libra dhe pse jo bashkë me prindërit e juaj të keni një sfidë, që çdo ditë të lexoni nga një faqe më shumë në mënyrë që të fitoni më shumë kohë në lojërat e juaja që dëshironi t’i bëni në kohën e lirë”, përfundoi nënkryetarja e Prishtinës.
Ndërsa Ilirjana Hasaj, menaxhere në librarinë Dukagjini, tha që është shumë e lumtur që përpos aktiviteteve të shumta që kjo librari i organizon për fëmijë, ka arritur të organizojë edhe këtë panair, i cili deri tani i ka munguar kryeqytetit.
“Fëmijë të dashur, për mua është shumë kënaqësi e madhe që kemi ardhur sot këtu. Ju e dini që në librarinë Dukagjini, çdo herë organizojmë për ju aktivitete të ndryshme, sjellim libra të ndryshëm, ndoshta edhe shumë prej jush keni ardhur në librari, për ne është shumë kënaqësi, prandaj edhe punojmë dhe sjellim risi çdo herë për ju. Dhe pikërisht për ju e kemi sjell këtë panair sepse një i tillë ka munguar”, shtoi Hasaj.
Më tej fjala iu kalua Fatime Mehmetajt, udhëheqëses së bibliotekës së qytetit “Hivzi Sylejmani” e cila u shpreh se organizimi i një aktiviteti të tillë shënon një festë të madhe për kryeqytetin.
“Jam e lumtur që jam pjesë e kësaj ngjarje shumë të rëndësishme për kryeqytetin e Prishtinës, sidomos që jam në mesin e fëmijëve, sepse edhe misioni i bibliotekës është që të bëj bashkë lexuesin me librin. Biblioteka “Hivzi Sylejmani” i është bashkangjitur kësaj iniciative që për kryeqytetin është një festë e madhe.”
Në emër të bibliotekës Mehmetaj i ndau edhe dy mirënjohje, për Ajet Dalipin i cili bibliotekës i kishte dhuruar bibliotekën e tij personale me mbi 2000 ekzemplarë si dhe Fondacionit Agim Lluka, që këtë vit po ashtu ka dhuruar kontingjent të librave me shumë vlerë, me rreth 405 tituj.
Pas ceremonisë hapëse, në një prononcim për KultPlus, drejtori i organizatës ETEA, tha se duke qenë se është edicioni i parë, këtë vit panairi ka më shumë karakter pilotues.
“Është modest por i lezetshëm, sepse kapacitetet nuk kanë qenë të mjaftueshme për të qenë gjithëpërfshirës, por duke qenë edicioni i parë ka njëfarë karakteri pilotues në mënyrë që të shohim se si po shkon.”
Drejtori Ahmeti më tutje shtoi se do të përpiqen që vitin e ardhshëm të organizojnë një panair edhe më dinjitoz në mënyrë që fëmijët të stimulohen për lexim dhe mundësisht ta shndërrojnë në një proces të zakonshëm leximin.
“Planet i kemi që menjëherë pas përfundimit të edicionit të parë, të mblidhemi të bëhemi bashkë dhe të shohim që për vitin e ardhshëm të fillojnë përgatitjet qysh prej këtij viti në mënyrë që në edicionin e ardhshëm të kemi një panair të librit ekskluzivisht për fëmijë sa më dinjitoz dhe sa më të bukur në mënyrë që fëmijët përveç argëtimit nëpër aktivitetet e shumta që ka për t’i pasur edhe ky edicion i panairit, ta mendojnë, kujtojnë librin, ta shfletojnë dhe pse jo ta shndërrojnë në një proces të zakonshëm leximin.”
Deri më datën 07 tetor 2023, në orët e pasdites, përpos shitjes së librave prej gjashtë shtëpive botuese i cili konsiderohet aktivitet konstant, do të ketë edhe aktivitete të shumta si pjesëmarrja e robotëve për të argëtuar fëmijët prezent, program nga Anibari, program i ofruar nga Fondacioni 17, Dokufest, takimet me shkrimtarë të karvanit për fëmijë, promovime të librave për fëmijë etj.
Prezent në këtë panair pritet të jenë edhe udhëheqësit e Kosovës, si kryeministri Albin Kurti dhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, për tu takuar me fëmijë dhe për të pasur lexime dhe bashkëbisedime për librin.
Nga ora 10:00 deri në 14:00 gjatë ditëve të panairit Biblioteka e qytetit e ka të hapur regjistrimin falas për të gjithë fëmijët e interesuar nga klasa e parë deri në të nëntën, me validitet një vjeçar. /KultPlus.com
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)