Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
Shtëpia Botuese “Kulttuuritarha”, në Helsinki këto ditë botoi librin me poezi të poetit Sali Bashota, me titullin “Musta sade”, përkthyer nga Muharrem Miftari, me parathënie të botuesit dhe shkrimtarit, Kiamars Baghbami. Bashota është poeti i parë nga Kosova, libri i të cilit botohet si vëllim i veçantë poetik në gjuhën finlandeze.
Ky poet deri më tani ka botuar mbi pesëdhjetë vepra të llojeve dhe zhanreve të ndryshme, duke përfshirë vepra me poezi, prozë poetike, ese dhe studime letrare. Libri i botuar në gjuhën finlandeze është një përzgjedhje nga krijimtaria e tij letrare.
Disa nga veprat e Sali Bashotës, të botuara në gjuhë të ndryshme të botës, janë:
“Exilul Sufletului” (2004), “Schalte das magische Licht ein” (2004), “Only Death is White” (2005), “Ako stanam angel” (2006), Ploaia fara Tine” (2008), “Beauté Maudite” (2010), “Прокълната красота” (2012) , “När himlen tystnar” (2012), “Allume la lumière magique” (2012), “Il gioco delle foglio” (2015), “Ηάλλη όψη του” (2016), “Albán éjzaska” ( 2017),
“La ŝtono de la amo” (2017), “Whispering Agony (a quarantine book” (2020) etj.
Parathënia e librit të botuar në finlandisht:
Kiamars Baghbani
Nga zemra duhet të dalë një fjalë që prek zemrën!
(Një vështrim mbi përmbledhjen poetike “Shiu i zi”, të poetit Sali Bashota)
Sali Bashota është me origjinë nga Republika e Kosovës. Si studiues, poet dhe shkrimtar, ai është një ekspert i larmishëm në letërsi, si dhe arritjet e tij në fushën e publicistikës janë të rëndësishme. Për krijimtarinë e tij letrare dhe shkencore, ai është nderuar me çmime të larta kombëtare dhe ndërkombëtare, duke përfshirë medaljen e meritës nga Presidenti i Republikës së Kosovës.
Karriera e tij letrare përfshin dhjeta përmbledhje poetike, prozë poetike, kritikë letrare, si dhe artikuj e materiale në fushë të kulturës. Veprat e Sali Bashotës janë përkthyer në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, turqisht, suedisht, hungarisht, arabisht, bullgarisht etj.
Shumëkush e konsideron të pamundur përkthimin e poezisë. Megjithatë, poezitë e poetëve të njohur botërorë janë përkthyer në gjuhë të tjera dhe vazhdojnë të përkthehen. Pa dyshim, aftësia e përkthyesit për të kuptuar poezinë në gjuhën burimore dhe zotërimi i tij, i gjuhës së synuar ndikojnë shumë në cilësinë e rezultatit. Ndonjëherë distanca midis gjuhëve dhe, sigurisht, kulturave e vështirëson përkthimin e poezisë.
Pavarësisht nga kjo, kjo përmbledhje poetike, e përkthyer me mjeshtëri, paraqet mendimet e poetit Sali Bashota për lexuesit finlandezë.
Sali Bashota shkruan bukur:
“… A do të shkruhet një histori e tërë
Në kohën e pakryer …”
Poeti flet në poezi për plagët e thella që gjenden në zemrat e popullit të tij: “Koha epike”:
“Të dielën vajzat shkojnë në kinema
Po kush do të dashurojë
Buzëmbrëmjen, kohën e lirë dhe vjershat
Njëri flet për Laokoontin që e mbytën trojanët
Të tjerët për Betejën e Torviollit
Dhe vdekjen e Moisi Golemit …”
Republika e Kosovës ka një pozitë të veçantë në Ballkan. Historia e Kosovës është plot vuajtje e hidhërim. Konfliktet kulturore dhe politike mes popujve të rajonit vazhdojnë të lënë gjurmë në mendjet e njerëzve.
Gjuha e poetit të njohur shpreh gjithashtu dhimbjen historike. Poeti nis të flasë në poezi për dashurinë, por në fund ajo arrin te shprehja e vdekjes, si në poezinë “Guri i dashurisë”.
“Sa pak të kam harruar
Sa shumë të paskam gdhendur
Pa të harruar
Guri im i vdekjes”
Ndonjëherë, poeti ndihet i zhgënjyer dhe ka një dëshirë të dëshpëruar për të lëvizur drejt një të nesërmeje më të mirë. Megjithatë, ai e merr veten si një luftëtar në fushëbetejë dhe thërret:
“… Jo, nuk mund të vdes
Nëna do të qajë tërë jetën”
Shoqëria e Kosovës ishte në krizë. Poeti, ashtu si gjithë njerëzit e tjerë, ndonjëherë dyshon në përmirësimin e situatës, por shtrimi i pyetjeve tregon se ekziston një dritë shprese që duhet gjetur:
“… Përtej shtatë bjeshkëve
As puthja as shiu i verës nuk të ngrohin
Me cilën kënge të të zgjoj?”
Poeti ka referenca historike në shprehjen e tij. Kujtesa historike e kombeve ruan mirë momentet e hidhura dhe të ëmbla, edhe pse mund të mos i ketë shfaqur ato për një kohë të gjatë. Ndonjëherë në lajme shohim çfarë ndodh në ndonjë cep të botës. Është mirë të reflektojmë si poeti për arsyet e konflikteve dhe rrënjëve historike:
“Bashotët në jug
Ata e dinë
Për marshimin e ushtrisë osmane në Kosovë
Për rrethimin e fundit të Krujës
Për dy varret e Ali Pashë Tepelenës
Ata dinë çdo gjë
Unë jam
Frymë e tyre e gjallë
Po vijnë
Shihni po vijnë
Bashotët në jug”
Poeti nuk dëshiron ose nuk mund të harrojë vuajtjen dhe hidhërimin, por ai është i sigurt se e nesërmja do të sjellë një ditë të re. Kalimi i kohës mund dhe duhet të shërojë plagët. Poezia fillon me dëshpërim, por përfundon me një mundësi për një të ardhme më të mirë. Në fund të poezisë ai shkruan:
“Nesër
Kur dielli lind përsëri”
Poeti përshkruan Kosovën edhe në poezitë më intime. Në dhimbjet e të atit, ai nuk sheh një dhimbje personale. Ai sheh arsyen e dhimbjes në problemet e atdheut të tij. Një vend që është kthyer në një burg për popullin e Kosovës dhe, natyrisht, për mendjen e poetit kombëtar:
“Astma e tim eti”:
“Ti nuk ke faj pse të humb fryma
Nga çdo pjesë e trupit
Vdekja gjithmonë të troket në fytyrë
Atdheu im është një burg që s’të zë as ty
Duke këputur guximin si fijen e flokut
Me shpirtin në shuplakë të dorës.”
Kur përmendet vdekja e poetit, rëndësia e pavdekësisë reflektohet në mendimet e tij. Fjalët e poetit Sali Bashota më kujtuan një poezi tjetër. Me fjalët e poetit modern persian Forough Farrokhzad: “Kujto fluturimin, zogu është i vdekshëm!”
“… Nëse poeti vdes
Në dhomën e krijimit të vetmisë
Duke i shëruar zogjtë e plagosur
Vdekje do të kishte një kuptim tjetër
Se nuk vdes poeti.”
“Shiu i zi” është një mesazh për fjalët që trokasin në letrën e bardhë dhe që mbulojnë mendjen e lexuesit nga shiu i zi. Një kuptim i thellë i dhimbjes nervore. Pamja e një bote të vjetër dhe të dhimbshme në vuajtjet e paharrueshme të popullit të Kosovës. Dhimbja e tillë ka një rrugë të gjatë për t’u shëruar.
Kjo përmbledhje është një manifest i popullit të Kosovës./KultPlus.com
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)