Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se sulmin “paramilitar dhe terrorist” ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit e kreu “Klani i Novi Sadit i udhëhequr nga ministri i Mbrojtjes i Serbisë Millosh Vuçeviq”.
Një rreshter i Policisë së Kosovës u vra më 24 shtator në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit, pasi policia u sulmua nga një grup serbësh të armatosur.
“Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiq, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin”, shkroi Kurti në Facebook të hënën.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha më 1 tetor se gjatë operacionit “tonë brenda manastirit u gjetën 49 persona civilë, 43 pelegrinë dhe gjashtë personel, asnjëri nga këta nuk është dëmtuar apo keqtrajtuar.”
Duke folur për këtë të hënën, Kurti tha se “rreth 40 pelegrinë ortodoksë në Manastir të Banjskës me 24 shtator ishin nga Novi Sadi. Ndoshta e rastësishme, hetimet duhet ta tregojnë.”
Kosova dhe Serbia kanë nisur hetime paralele për ngjarjet në Banjskë, ndërkohë që Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Beogradit të bashkëpunojë plotësisht për këtë çështje.
Kosova e ka akuzuar Serbinë se tentoi ta “aneksojë tërë veriun e Kosovës”, gjë të cilën Serbia e ka mohuar, megjithëse përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, nënkryetari i atëhershëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.
Kurti theksoi se “grupi terrorist në arrati i udhëhequr nga Millan Radoiçiq po qëndron në Rashkë. Atyre MUP-i famëkeq serb iu ka ndarë vetura të tipit Shkoda Oktavia me ngjyrë të bardhë dhe të zezë e me tabela regjistrimi BG dhe… NS.”
Ai paralajmëroi se në katër komunat veriore të Kosovës po merr fund “terrori, kriminaliteti dhe kultura e dhunës e paramilitarëve të Delije (tifozët e Cërvena Zvezdës) që shprehet me nofkat e ekstremistëve si: Mami, Llune, Daco, Rusi, Nemac, Gile, Drago, Aco, Comi, Belli, Micko, Prki, Mrki etj.”
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)