Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
Kryeministri Albin Kurti, ka kujtuar heroin kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, në ditën e lindjes së tij. Ai shkroi në rrjete sociale se Skënderbeu frymëzon edhe sot veprimtarinë shtetërore e politike.
Kurti shkroi se Skënderbeu është ikona e identitetit shqiptar, simbol i denjë i gjallërisë së kombit tonë dhe i dëshirës sonë për liri.
“Skënderbeu është dëshmia jonë historike për tërë botën se liria është vlera më e rëndësishme e njeriut dhe e popullit. Kur liria cenohet, populli hidhet në luftë çlirimtare me gjithçka ka, paçka fuqisë më të madhe të pushtuesit. Këtë e dëshmuan në shek. XX përpjekjet e kombit shqiptar për çlirim e bashkim kombëtar, veçanërisht epopeja e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shkroi Kurti.
Për fat të keq, -shtoi Kurti- liria e popujve po rrezikohet sërish në dekadën e dytë të shek. XXI, në një kohë kur dukej se aspiratat për paqen dhe begatinë afatgjatë të kontinentit po bëheshin realitet.
Heroi kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ka lindur më 6 maj të vitit 1405, në një familje fisnike të Dibrës, siç ishte ajo e Gjon Kastriotit. Ai u mor peng nga Sulltan Murati dhe luftoi për Perandorinë Otomane si gjeneral deri në vitin 1443, vit në të cilin u largua gjatë një beteje, duke u rikthyer në Krujë. Në vitin 1444 ai mblodhi të gjithë princërit shqiptarë në Lidhjen e Lezhës, ku u vendos unanimisht të luftohej për marrjen në zotërim të trojeve shqiptare kundër perandorisë otomane.
Në krye të ushtrisë shqiptare, pas fitores së parë kundër otomanëve në betejën e Torviollit, Skënderbeu do të korrte 22 fitore të mëdha kundër Perandorisë osmane, në vitet e luftës në krye të ushtrisë së vet, që kishte si kryeqendër Krujën.
Heroi kombëtar do të njihej për luftën e tij të paepur në një vend kyç mes lindjes dhe perëndimit.
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)