Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
today13/07/2023
Situata në Kuvendin e Kosovës është qetësuar pas përleshjes që shpërtheu në momentin kur Kryeministri Kurti ishte duke mbajtur fjalim në foltore, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Aktualisht me sa shihet në sallë deputetët e partisë në pushtet dhe disa të opozitës, ndërkohë që kryeministri Kurti shihet i rrethuar nga mbrojtja e afërt.
Po aty në rend duken edhe ministrat e Qeverisë dhe deputetët e pushtetit.
Çka ndodhi sot në Kuvend?
Ngjarja ndodhi shumë shpejtë.
Siç shihet në pamjet më lart, përplasja ka nisur në kohën kur deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, është afruar ta lagë me ujë kryeministrin Kurti.
Në atë moment zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka goditur atë me shishe të ujit në fytyrë.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka urdhëruar Policinë që të ndërhyjë dhe seanca është ndërprerë menjëherë.
Ndërkohë që sigurimi i Kuvendit e ka rrethuar në mbrojtje Kryeministrin Kurti.
Reagimi i parë pas tërë këtyre zhvillimeve në Kuvend, ka ardhur nga Partia Demokratike e Kosovës, deputetët e të cilës ishin po ashtu të përfshirë në përleshje.
Sipas PDK’së, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka qenë ai që e ka provokuar incidentin dhe e ka goditur i pari me shishe deputetin Mërgim Lushtaku.
Reagimi i plotë i PDK-së:
Kërcasin grushtet, shtyhet Kurti – pamje me VIDEO të përleshjes së deputetëve në Kuvendin e Kosovës
Sikur të mos u mjaftonte fyerja që i bënë shtetit të Kosovës, veteranëve të UÇK-së, akterëve politik shqiptarë, popullit të Kosovës, para shërbëtorëve të Radojçiqit, sot, në Kuvendin e Kosovës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në vend që të ndihej i turpëruar dhe të jepte llogari për përgjimet, provokoi opozitën duke i hequr fotografinë që ata i vendosën në foltore.
Madje, ishte pikërisht zëvëndëskryeministri Bislimi i cili i pari e goditi me mjete të forta, shishe, deputetin Mërgim Lushtaku.
Në një moment kur Kryetari i Kuvendit u desh që të reagojë dhe të mos e lejoj atë që të ndodhë, ai u bëri thirrje Policisë së Kosovës që të ndërhyjnë dhe të arrestojnë deputetët e opozitës.
Futja e Policisë së Kosovës në Kuvend nuk është lejuar të ndodhë as në momentin më të errët në historinë e Kuvendit të Kosovës, kur Lëvizja Vetëvendosje hidhte gaz lotsjellës dhe rrezikonte jetën e deputetëve.
Tani, gjithçka është e qartë. Kjo Qeveri, ky kryeministër, ky pushtet, shihet qartë se duke tentuar të fshehë koordinimin dhe bashkëpunimin me Millan Radojçiqin, po përdorë çdo mjet, edhe dhunën, ndaj deputetëve opozitarë. Ky Kuvend dhe kjo Qeveri nuk kanë më kurrfarë kuptimi dhe asnjëlloj kredibiliteti.
Një Qeveri që bashkëpunon me kriminelët serbë, në dëm të interesit të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës, duhet të shkoj në shtëpi një orë e më parë.
Kosova ka nevojë për zgjedhje të reja, nga të cilat, qytetarët me votën e tyre do të zgjedhin një Qeveri kredibile e cila do ta kthej vendin në rrugën e duhur drejt integrimit euro-atlantik. /Reporteri.net/
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)