Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
today19/07/2022
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se hapja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është lajm jashtëzakonisht pozitiv.
Krasniqi theksoi se tani është momenti që BE-ja të marrë vendim, pa asnjë vonesë, për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Ka vite që ne të gjithë besojmë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut është dashur ta nisin procesin e negocimit dhe është një sihariq i mirë, është një shpresë edhe për Kosovën që përfundimisht, përkundër vonesës, krejtësisht të paarsyeshme dhe të padrejtë në raport me ne të miratohet vendimi për lejimin e udhëtimit pa viza, pra liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”.
Ai thotë se kosovarët e meritojnë heqjen e vizave sa më shpejt të jetë e mundur, pasi Kosova ka vite që i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara.
“Kjo është një e drejtë e jona e cila besoj edhe është e merituar, qysh nga viti 2018 së paku, sepse ne qysh atëherë kishim plotësuar të gjitha kriteret, kërkesat dhe rekomandimet të cilat kishin ardhur nga udhërrëfyesi dhe tashmë vërtetë nuk duhet të ketë asnjë vonesë. Kërkesa jonë dhe insistimi jonë është që vendimi të merret pa asnjë vonesë dhe normalisht pa asnjë kriter shtesë të kërkuar, sepse qytetarët e Kosovës e meritojnë që të udhëtojnë lirshëm në zonën e Shengenit sa më herët që të jetë e mundur”, ka deklaruar ai në një intervistë për EO.
Kreu i PDK-së e ka akuzuar qeverinë për neglizhencë dhe paaftësi për të ndërmarrë masa për të lehtësuar barrën e familjeve kosovare në kohën e rritjes së çmimeve.
Ai thotë se qeveria nuk e ka implementuar asnjë nga propozimet e dhëna nga kjo parti opozitare lidhur me këtë situatë, derisa shton se me veprimet e ndërmarra vetëm janë penalizuar bizneset kosovare.
“Ne kemi dhënë një sërë propozimesh që nga viti i kaluar për sa i përket energjisë, fillimisht duke e ndjerë dhe duke e parë që po vinte një krizë e jashtëzakonshme dhe gjithçka kishte mbetur në heshtje nga ana e qeverisë. Pastaj, fatkeqësisht u realizuan të gjitha ato parashikime që nuk ishin aspak pozitive, përkundrazi ishin shumë negative. Ne përfunduam me propozimin e qeverisë për të na rritur energjinë në mbi 200 për qind tek pjesa e tarifave të shtrenjta. Në shkurt, por në mënyrë konkrete në mars, ne kemi propozuar masat adekuate për t’i implementuar qeveria në mënyrë që të lehtësohej barra financiare sa i përket rritjes së çmimeve. Asnjë nga këto veprime nuk është ndërmarrë dhe sot shohim që e vetmja mundësi që i ka mbetur qeverisë është penalizmi i bizneseve të Kosovës”.
“Kërkesat dhe propozimet tona janë të qarta, janë konkrete. Qeveria është dashur që të heq tatimin mbi vlerën e shtuar për të gjitha produktet bazike që janë pjesë të shportës esenciale. Është dashur po ashtu të ndërmerrte masat e njëjta edhe për derivatet, ku ne kemi propozuar edhe heqjen e akcizës, në këtë mënyrë ne sot nuk do të kishim nga 1 euro e 75 cent litrin e naftës po do ta kishim 1 euro e 10 apo 1 euro e 15 cent. Ndërsa, çmimet që nga mielli, gruri, orizi, vaji e gjithçka tjetër që është pjesë e shportës esenciale do të ishin shumë më të përballueshme. Duhet ta kemi të qartë që kriza ekonomike, ende nuk e ka arritur pikun dhe kjo është vërtetë alarmuese sepse ne do të ballafaqohemi me një dimër të ashpër, i cili do të jetë shumë i ashpër në kuptimin social dhe ekonomik”.
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)