Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
today04/10/2023
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të mërkurën se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ta këshillojnë Kosovën në hartimin e statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Megjithatë, ai e ka përmendur që në fund, kjo çështje është në duart e Bashkimit Evropian, si ndërmjetësuese e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një bashkëbisedim me gazetarët në ambasadë, Hovenier ka thënë se SHBA-ja do ta mirëpresë secilin propozim të Kosovës në këtë temë, që do të jetë “kredibil dhe i arsyeshëm”.
“Në fund, kjo çështje do t’i përkasë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Mirëpo, nëse Kosova dëshiron të konsultohet me ne, ose të tjerët, se si të çojë diçka përpara në mënyrë më të mirë, ne jemi të gatshëm ta këshillojmë”.
Ky është reagimi i parë i ambasadorit Hovenier për këtë çështje, pas deklaratës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ditë më parë se Kosova duhet ta përgatisë draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe bashkë me Shtetet e Bashkuara, shkruan REL.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Së fundi, komuniteti ndërkombëtar e ka rritur presionin ndaj Kosovës duhet e kërkuar formimin e Asociacionit sa më shpejt.
Diplomatët amerikanë e kanë përsëritur disa herë se Shtetet e Bashkuara besojnë se Asociacioni duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
‘Çështja e përgjegjësisë mbi sulmin nuk merr fund me deklarimin e Radoiçiqit’
I pyetur nëse SHBA-ja ka informacione për planet e grupit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, dhe nëse është përfshirë Beogradi zyrtar në sulmet ndaj Policisë së Kosovës në ndonjë mënyrë, Hovenier ka thënë se SHBA-ja është ende duke mësuar më shumë për rastin.
Si pasojë e sulmeve të 24 shtatorit, është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë.
Më 29 shtator, Millan Radoiçiq e ka marrë përgjegjësinë për organizimin dhe sulmin në Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës.
“Kjo gjë merr kohë. Ka qenë një rrethanë e komplikuar dhe do të marrë kohë derisa t’i kuptojmë të gjitha specifikat”.
Megjithatë, Hovenier e ka përsëritur se SHBA-ja beson se sulmi nuk ka qenë spontan dhe grupi ka qenë “i koordinuar dhe sofistikuar”, i cili ka përdorur armë të gradës ushtarake – një pjesë e mirë e të cilave kanë qenë me origjine serbe – me qëllim të destabilizimit të veriut të Kosovës.
Ai ka thënë se nuk beson që çështja e përgjegjësisë mbi sulmin ndaj Policisë së Kosovës merr fund me deklarimin e ish -nënkryetarit të Listës Serbe Millan Radoiçiq, se ai e ka organizuar sulmin.
“Do të thosha që gjëja e duhur për shërbimet tona të sigurisë dhe partnerë tjerë është që të vazhdojmë të tentojmë të kuptojmë se çfarë ka ndodhur. Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta, ata që mbajnë përgjegjësi për sulmin duhet të mbahen përgjegjës. Ky mbetet pozicioni ynë. Ne do të vazhdojmë të tentojmë për të kuptuar çfarë ka ndodhur, kush është përgjegjës dhe pse”.
Radoiçiq është marrë në pyetje nga autoritete serbe më 3 tetor lidhur me zhvillimet në Banjskë, ndërsa është liruar nga mbajtja më 4 tetor.
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)