Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
Ekipet mbrojtëse të Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit konfirmuan për gazetarët se do të apelojnë aktgjykimin dënues për dy të akuzuarit, shqiptuar më 18 maj nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) Hysni Gucati dhe nënkryetari i organizatës Nasim Haradinaj, u dënua me katër vjet e gjysmë burgim për akuzat për pengim të administrimit të drejtësisë.
“Ne e ndajmë mendimin se dënimi i shqiptuar është dukshëm i tepërt dhe përtej ndonjë dënimi të shqiptuar më përpara në ndonjë tjetër rast të krahasueshëm”, tha ekipi i mbrojtjes i Gucatit.
“Presim zvogëlimin e dënimit”, tha avokati i Haradinajt, Toby Cadman, duke shtuar se qëndrimi i mbrojtjes është që Haradinaj të dënohet aq kohë sa ka qëndruar në paraburgim.
Haradinaj dhe Gucati u arrestuan më 5 shtator të vitit 2020 dhe që atëherë gjenden në qendrën e paraburgimit të Hagë.
Avokati i Haradinajt tha se pret që trupi gjykues të shqyrtojë në mënyrë të pavarur kërkesën e tyre dhe ta ulin dënimin për klientin e tij.
Gjatë shqiptimit të dënimit, gjykata argumentoi se Gucati dhe Haradinaj kishin kërcënuar dëshmitarët e mbrojtur dhe ata eventualë, duke publikuar informacione të tyre dhe dokumente të klasifikuara të Speciales.
Gucati dhe Haradinaj u arrestuan në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë ksihin shpërndarë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara, që njihen edhe si Gjykata Speciale.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)