Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
Për herë të parë në periudhën e pasluftës, në Mitrovicën e Veriut, komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës, pothuajse nuk ka produkte nga Serbia. Mungesë e këtyre produkteve vërehet edhe në komunat tjera të Kosovës.
Këtë e dëshmojnë për Radion Evropa e Lirë qytetarët dhe afaristët, ndërkaq kjo mund të konstatohet edhe nga raftet e dyqaneve, ku janë të renditura kryesisht produkte nga vendet e rajonit.
“Na u desh të riorientoheshim dhe të blinim mallra që janë në dispozicion me shumicë. Po gjendemi ashtu siç na imponohet. ‘Bimlek’ nga Manastiri (nga Maqedonia e Veriut) është i njëjtë me ‘Imlek’ (nga Serbia), ndërsa produktet ‘Swissllion’ nga Serbia i zëvendësojmë me të njëjtat produkte që vijnë nga Maqedonia e Veriut”, thotë ky biznesmen.
“Bimilk” është pjesë e kompanisë rajonale “Imlek” me seli në Serbi, e cila operon edhe në Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë dhe në Maqedoninë e Veriut.
Mungesa e produkteve serbe në veri të Kosovës është pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës më 14 qershor për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia. Ky vendim pasoi arrestimin e tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga forcat serbe, për të cilët autoritetet në Prishtinë thanë se u “rrëmbyen”. Siç ishte paralajmëruar, një vendim i tillë është marrë për arsye sigurie dhe jo ekonomike dhe nuk dihet se sa do të qëndrojë në fuqi.
Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën, gjatë vitit të fundit kanë zhvilluar disa aksione kundër kontrabandës me mallra, ndërsa “rrugët alternative” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë nën kontroll të rreptë të Policisë së Kosovës.
Rasti i fundit ishte javën e kaluar në Leposaviq, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit, kur Policia e Kosovës ndaloi një automjet me targa të Serbisë, të cilin e drejtonte një shtetas serb.
“Gjatë kontrollimit në automjet janë vërejtur pije alkoolike (verë) rreth 100 litra, si dhe pemë e perime”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovë të datës 26 korrik.
Automjeti me ngarkesën është dërguar në terminalin doganor.
Qytetarët e Mitrovicës së Veriut deklarojnë se “kundër vullnetit të tyre” është dashur të ndryshojnë zakonet e tyre dhe të fillojnë të blejnë produkte nga vendet e tjera të rajonit, në vend të atyre nga Serbia.
Milica thotë se më së shumti i mungojnë produktet e qumështit “Imlek”, pasi, siç thotë ajo, është mësuar me shijen e tyre.
“Po shkoj pak më lart, po kërkoj, mbase gjendet diku”, thotë ajo.
Ajo shton se do të fitojë shprehi të reja, nëse ndalimi i importit të mallrave nga Serbia mbetet në fuqi.
Edhe Ivana nuk mund të gjejë produkte nga Serbia në dyqanet lokale.
“Për shembull, nuk ka djathë feta për të blerë përditë. Dikur blija vetëm (produkte) serbe, tani nuk i gjej me ditë të tëra”, thotë ajo.
Banorët e Mitrovicës së Veriut ankohen për rritje të çmimeve, gjegjësisht se për të njëjtat produkte paguajnë më shumë sesa banorët e jugut.
“Çmimet janë më të lartat këtu. Pse është kështu, nuk e kuptoj fare”, thotë Ivana.
“Treqind dinarë (2.5 euro) është një shishe me dy litra (qumësht)”, thotë Dragica.
Në anën tjetër, biznesmenë të intervistuar nga Radio Evropa e Lirë pohojnë se çmimet i dikton fakti se si i sigurojnë produktet dhe se nuk janë duke e keqpërdorur situatën. Megjithatë, ata nuk duan të flasin publikisht dhe në detaje për këtë temë.
Në mjediset e banuara me shumicë serbe në jug të lumit Ibër, mungesa e produkteve nga Serbia është e dukshme. Shumica e pronarëve të dyqaneve në Graçanicë, një komunë me shumicë serbe afër Prishtinës, mallrat nga Serbia i kanë siguruar në Mitrovicën e Veriut.
“Është problem i madh, mallrat nga Serbia nuk mund të gjenden askund”, thotë një nga biznesmenët në Graçanicë, i cili nuk dëshiron t’i zbulohet identiteti.
Të dhënat nga muaji qershor i këtij viti, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, tregojnë rënie të importit të produkteve të Serbisë.
Vendimi i Prishtinës zyrtare që pamundëson hyrjen e produkteve finale në tregun e Kosovës, vazhdon ende, thotë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna. Kjo masë, sipas tij, nuk vlen për lëndën e parë dhe gjysmë-produktet.
Mungesa e produkteve të Serbisë në mjediset e banuara me shumicë serbe, sipas tij, është rezultat i masës së Qeverisë ndaj këtyre produkteve, por edhe luftës efikase të organeve të rendit kundër kontrabandimit të këtyre produkteve.
“Po shohim çdo ditë që agjencitë e zbatimit të ligjit, Policia, Dogana, Administrata Tatimore, që kanë komunikata për mallrat kontrabandë që po i kapin duke hyrë sidomos në pjesën veriore, për arsye se vija e gjelbër kufitare është më e gjatë në atë pjesë. Së dyti është masa e sigurisë [e Qeverisë së Kosovës], e cila pamundëson importimin [e produkteve të Serbisë]”, thotë Rafuna.
Ai thekson se mungesa e produkteve nga Serbia në tregun e Kosovës, është kompensuar me produkte identike nga vendet tjera të rajonit. Kjo masë, sipas tij, deri më tash nuk ka prekur interesat e bizneseve të Kosovës, për shkak se është duke u zbatuar tash e dy muaj.
Sipas Rafunës, nëse masa vazhdon, atëherë në aspektin afatmesëm dhe afatgjatë, bizneset në Kosovë do të dëmtohen për shkak të kostos më të lartë që ka importi i produkteve identike nga vendet më të largëta. Kjo, sipas tij, pritet të ndikojë edhe në ngritjen e çmimeve të atyre produkteve.
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)