Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
Operatorët telefonikë të Bashkimit Evropian dhe ata të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar të martën një marrëveshje në Tiranë për zvogëlim të tarifave të romingut.
Marrëveshja, e cila është nënshkruar në kuadër të samtit BE- Ballkani Perëndimor, do të nisë së zbatuari më 1 tetor të vitit 2023.
Zotimi kryesor i liderëve të bllokut evropian në këtë samit pritet të jetë mbështetja dhe përshpejtimi për procesin e zgjerimit të BE-së. Tema të tjera me rëndësi që pritet të diskutohen janë edhe pasojat e pushtimit rus të Ukrainës dhe bashkërendimi i përgjigjes ndaj tyre, sa i përket politikës së jashtme dhe sigurisë, por edhe përballimit të krizës energjetike.
Në samitin në Tiranë, po ashtu pritet të diskutohet për ndalimin e emigrantëve që kalojnë përmes shteteve të Ballkanit për në BE, frenimin e emigrimit nga vendet e rajonit.
Samiti do të përmbyllet me një deklaratë të përbashkët të liderëve. Radio Evropa e Lirë ditë më parë ka raportuar për përmbajtjen e draftit të “Deklaratës së Tiranës”. Përveç zotimit për përshpejtimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor, në të theksohet edhe rëndësia e partneritetit mes bllokut dhe këtij rajoni.
“Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës, që po përshkallëzohet dhe po e vë në rrezik paqen dhe sigurinë evropiane e atë globale, potencon rëndësinë e partneritetit strategjik mes BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor“, thuhet në tekstin e draft-deklaratës së Tiranës.
Në lidhje me rritjen e valës së emigrantëve ilegalë që hyjnë në BE përmes Ballkanit, zyrtarët evropianë më 5 dhjetor shprehën shqetësimin e tyre dhe kërkuan forcim të menaxhimit të kufijve.
Sipas të dhënave të Komisionit Evropian vetëm në muajin tetor të këtij viti, në BE kanë hyrë më shumë se 22.000 imigrantë ilegalë, përmes shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Gjatë kohës kur do të mbahet samiti BE-Ballkani Perëndimor, opozita në Shqipëri ka paralajmëruar se do të mbajë një protestë kundër Qeverisë Rama.
Udhëheqësit e Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë, Sali Berisha dhe Ilir Meta, kanë thirrur protestë në orën 12:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, zonë që policia shqiptare e ka përfshirë në perimetrin e sigurisë për të garantuar mbarëvajtjen e samitit BE-Ballkani Perëndimor.
Samiti mbahet në hotel “Marriot” në kullën e “Air Albania”, që gjendet pak metra larg bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Sali Berisha deklaroi të hënën pasdite se protesta nuk kërcënon “sigurinë e miqve evropianë”, por shtoi se kërcënim për Shqipërinë përbën “Rama dhe Qeveria e tij”.
Policia e shtetit ka marrë masa të larta sigurie në bashkëpunim edhe me ekspertë të sigurisë së vendeve të BE-së, si dhe me organizatat ndërkombëtare Interpol dhe Europol, për të garantuar sigurinë e 32 delegacioneve shtetërore të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe mbarëvajtjen e samitit. Forcat e rendit po ashtu thanë se do të mbikëqyrin dhe do të garantojnë mbarëvajtjen e protestës së paralajmëruar nga opozita, por jashtë perimetrit të sigurisë.
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)