Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
Mundësia e ndryshimit të Kushtetutës për të akomoduar marrëveshjen Kosovë -Serbi dhe Asociacionin është kthyer në diskurs nga Kryeministri Albin Kurti. Ai, të enjten, prezantoi kushtet nën të cilat do ta pranonte Asociacionin, duke kërkuar që kjo të bëhet, ndër të tjera, në pajtim me Kushtetutën. Por, juristët kanë qëndrime të ndryshme se a duhet ndryshuar Kushtetuta e Kosovës, për t’i rënë tamam Asociacioni dhe marrëveshja finale.
Kushtetuta nuk është Bibël, kishte thënë Emisari evropian, Miroslav Lajcak, rreth dy vjet më parë, kur po fliste për themelimin e Asociacionit. Ai thoshte, atëherë, se “nëse biem dakord për çështje serioze, atëherë natyrisht që ajo duhet të pasqyrohet në Kushtetutë”.
Prej atëherë nuk është përmendur më ndryshimi i Kushtetutës, në favor të një Bashkësie të Komunave me shumicë serbe në Kosovë. Por, Kurti e ka kthyer këtë në ligjërimin e tij politik tash që po i kërkohet implementimi i Asociacionit dhe pranimi i plotë i planit franko -gjerman.
Perëndimi tashmë ka kaluar në një fazë të re, ku thjesht s’po e kërkon formimin e Asociacionit. Kanë nisur hapa drejt jetësimit të tij, ndonëse pa miratimin e Kryeministrit Kurti, që sot zbuloi gjashtë kushtet e vëna për pranimin e Asociacionit.
Kurtin nuk e kanë bindur deklarata publike të zyrtarëve amerikanë se përkrahin vetëm një Asociacion, që përputhet me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Një javë më parë, pas një takimi që Kurti pati me Lajcakun, e që pasoi pas vizitës së pesëshes së diplomatëve të Perëndimit, tha se ata që e kërkojnë formimin e Asocacionit njëetnik, duan ndryshim të Kushtetutës.
“Asociacionet e komunave, që janë njësi territoriale, jo vetëm administrative, mbi baza etnike, nuk duron kjo Kushtetutë. E tillë është, që nga viti 2008. Prandaj, ata që kërkojnë Asociacion njëetnik, ata kërkojnë ndryshim të Kuthetutës së Kosovës. E, unë besoj që, për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, duhet të ndryshohet Kushtetuta e Serbisë”, tha Kurti, ndonëse
“Për normalizim të raporteve, jo Kushtetuta e Kosovës, por Kushtetuta e Serbisë është ajo që duhet të pësojë ndryshim”, ka thënë Kurti.
Ai insiston edhe se kërkohet Asociacion njëetnik, ndonëse amerikanët dhe hartuesit e një drafti të Asociacionit që doli nga fondacioni gjerman “Friederich Elbert Stiftung”, thonë se ai nuk do të jetë i tillë.
Sidoqoftë, kur të enjten i shpalosi 6 kushtet me të cilat do ta pranonte Asociacionin gjatë një seance me përplasje, ai tha se ajo duhet të bëhet në pajtim me aktin më të lartë juridik të vendit. Ndonjë kusht për mosndryshime të Kushtetutës nuk pati.
Me aq sa është parë nga draft-propozimi jozyrtar për Asociacion dhe propozimi evropian për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, juristi Ehat Miftaraj beson se nuk kërkohet ndryshim i Kushtetutës.
“Me vetë faktin se ShBA në mënyrë strikte përmes përfaqësuesve të saj ka deklaruar publikisht se asociacioni duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese nënkupton se me rastin e hartimit të Statutit për Asociacionin s’do të ketë nevojë për ndryshime kushtetuese”, i ka thënë Miftaraj Gazetës Express.
“Hartimi i Statutit duhet të akomodoj këto të drejta sikurse janë të shpërndara në nivel lokal dhe duke u siguruar që nuk ndërtohet një strukturë e re me kompetenca ekzekutive, por një mekanizëm që mund të shërbej si lehtësues i koordinimit dhe bashkëpunimit komunal”, thotë tutje ai.
Sipas juristit, nuk është lënë të kuptohet kërkohet ndryshim i Kushtetutës për ta akomoduar Asociacionin dhe thotë se tani mbetet te hartuesit e Statutit të Asociacionit, që ta ruajnë rendin kushtetues.
“Mbetet tek hartuesit që të ofrojnë zgjidhje kreative që ruan rendin kushtetues dhe ruan kompetencat e komunave dhe respekton të drejtat dhe liritë edhe të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera që jetojnë në komunat me shumicë serbë”, thotë Miftaraj.
Deri tani, nuk ka një draft zyrtar të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ndërkaq, është bërë një debat publik rreth draft-Statutit, që e ka bërë FES-i këtë javë.
Ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, thotë se draftet e publikuara deri tani tejkalojnë kornizat e tij kushtetuese.
“Draftet e deritanishme, në një pjesë që flasin për autorizimet statutore të Asociacionit, qartë tejkalojnë kompetencat e tij kushtetuese, ashtu siç janë definuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015”, ka thënë Hasani.
Po ashtu Hasani është i bindur se me marrëveshjen Kosovë -Serbi, në bazë të drafteve aktuale të planit franko -gjerman, të cilat i ka analizuar, Kosovës do t’i duhet ta ndryshojë Kushtetutën.
“Nuk shoh qysh mundesh me akomodu me këtë Kushtetutë këtë marrëveshje. Marrëveshja parasheh që Kosova me qenë shtet regjional, me pasë regjione, me pasë një bashkësi të komunave …Meqenëse kjo është kështu, pjesa që është kuadër i ri juridik, që prodhon amendamente kushtetuese dhe ligje… sepse s’mundesh me bo regjion autonom pa e ndryshu Kushtetutën …prandaj marrëveshja duhet me u ratifiku në Kuvend” ka thënë Hasani në KTV.
Kryekushti i Kurtit: Asociacioni të jetë në përputhje me Kushtetutën
Kryeministri Kurti ia ka zbuluar sot Parlamentit gjashtë kushtet që ai i ka, në këmbim që ta pranojë formimin e Asociacionit të Kosovës.
Kushti i parë i tij është që Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
Kushti i dytë i Kurtit është që Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale.
I treti është që “Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane”.
Kushti numër katër i Kryeministrit është që “Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale”.
I pesti; Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.
Dhe kushti i fundit është që “Presidenti i Serbisë t’i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së, dhe tek të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013”. /Express/
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)