Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
today17/01/2022
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka mbërritur para tre orësh për një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Gjatë qëndrimit të tij rreth 7 orë Presidenti Erdogan do të nënshkruajë shtatë marrëveshje me vendin tonë, ndërsa ka marrë pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së çelësave të banesave në Kurbin, të rindërtuara pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 që tronditi vendin.
Mirëseardhjen në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit, Presidentit turk ia uroi kryeministri Edi Rama. Pas përshëndetjes së rastit, në këmbët e avionit nga ku Erdogan zbriti, u kënduan himnet e dy shteteve. Dy liderët kanë vazhduar të ecin mbi tapetin e kuq për t’u përshëndetur me ministrat e kabinetit qeveritar, të gjithë të pajisur me maskë, ku dhe u shmangën shtrëngimet e duarve si pasojë e pandemisë. Ata e përshëndeten me dorë në zemër, një gjest ky reciprok.
Më pas, kryeministri Rama dhe Presidenti Erdogan u nisën të vizitonin banesat e rindërtuara në Kurbin, një financim i qeverisë turke.
Presidenti turk në fjalën e tij u shpreh se gëzimi i shqiptarëve është edhe gëzimi i tij, duke shtuar se “vëllai i qëndron pranë vëllait, kur ka nevojë dhe jo kur thirret”.
Për numrin një të Qeverisë shqiptare 17 janari është një ditë e veçantë, pasi sipas tij, Erdogan është një “mik i çmuar, jo vetëm i shqiptarëve por edhe i imi”. Rama u kthye pas në kohë, në takimin e parë me presidentin turk, duke deklaruar se dikur ai i kishte thënë se “Shqipëria dhe Kosova janë në zemrën time”.
Ceremonia u hap me fjalën e kryetares së Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara, e cila u shpreh e lumtur dhe mirënjohëse karshi Qeverisë turke, që ka investuar në kompleksin rezidencial, pas dëmtimeve që la tërmeti në këtë qytet.
Fjalën pas saj e mori ministri i Mjedisit dhe Urbanizmit në Turqi, Murat Kurum. Ai ka vlerësuar marrëdhëniet e ngushta mes Turqisë dhe Shqipërisë.
“Ka pasur një bashkëpunim të shkëlqyer të kompanive shqiptare të angazhuara në ndërtimin e kësaj lagjeje, me kompaninë turke, që dua t’i falënderoj për profesionalizmin”, tha Kurum.
Nga ana tjetër, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla tregoi një histori personale të kryebashkiakes së Kurbinit, e cila humbi banesën e saj nga tërmeti.
Në tërësi, do të jenë 524 apartamente të reja, në dispozicion të familjeve të dëmtuara nga tërmeti. Njësi shërbimi do të jenë 37 ndërsa është menduar edhe për vendparkimet nëntokësore me 375 të tillë.
E gjithë zona do të gëzojë një infrastrukturë bashkëkohore me një shkollë, qendër tregtare dhe standarde urbane të cilësisë së parë.
Erdogan dhe Rama do kenë në orën 15:00 një konferencë për mediat, pas nënshkrimit të disa marrëveshjeve mes dy palëve.
Fjala është për shtatë marrëveshje, të cilat priten të firmosen ditën e sotme. E para ka të bëjë me një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Agjencisë Anadolu dhe Agjencisë Telegrafike Shqiptare. E dyta mësohet se do të jetë një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin në fushën e trajnimeve për zbatimin e ligjit ndërmjet qeverisë së Turqisë dhe Shqipërisë.
Pritet të ketë edhe një protokoll bashkëpunimi ndërmjet Drejtorisë së Arkivit Shtetëror të Turqisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivit.
Nuk do të mungojë as një memorandum mirëkuptimi për Bashkëpunimin në Fushën e Rinis dhe Sporteve ndërmjet ministrisë se Turqisë dhe asaj shqiptare.
Pas këtyre marrëveshjeve, Erdogan do të marrë pjesë dhe në ceremoninë e inaugurimit të xhamisë së Et’hem Beut në kryeqytet.
Ndërsa siç është bërë publike më herët, në orën 17:00, Erdogan do të ngjitet dhe në foltoren e Kuvendit të Shqipërisë, nga ku do mbajë një fjalim përshëndetës.
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)