Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
Rrjeti social TikTok është identifikuar nga fëmijët si hapësira në të cilën bëhet më së shumti bullizim në Kosovë. Rezultati ka dalë nga anketa e realizuar nga “Save the Children Kosova”, e që ka marrë për bazë përgjigjet e 1071 fëmijëve.
Bazuar në këtë anketë, rrjetet sociale dalin të jenë hapësira më e madhe ku bëhet bullizimi. 78 për qind e fëmijëve kanë raportuar se bullizimi është “shumë ose mesatarisht” i pranishëm në shkollën e tyre.
“Fëmijët identifikojnë më tej TikTok-un (78%), Snapchat-in (57%), shkollat dhe hapësirat publike (52%), Instagramin (45%) dhe Facebook-un (28%) si hapësira ku bullizmi ndodhë shpesh ose gjithmonë”, thuhet në një komunikatë për media nga “Save the Children Kosova”, me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve.
Në anketën “Zërat e Rinj”, 68 për qind e fëmijëve besojnë se fëmijët në Kosovë përjetojnë diskriminim.
Në anketë, 29 për qind e fëmijëve raportuan se rrallë ose kurrë nuk ndihen të sigurt kur përdorin transportin publik gjatë natës. Ky shqetësim është më i theksuar tek vajzat, ku 35% e shprehin këtë ndjenjë krahasuar me 19% të djemve.
26 për qind e fëmijëve të anketuar nuk dinë ku ta adresojnë depresionin, trishtimin e tyre; 37 për qind nuk dinë se ku të shkojnë kur ata vetë ose ndonjë i njohur është ekspozuar ndaj dhunës, kërcënimit ose krimeve të tjera; 33 për qind nuk dinë ku ta adresojnë trajtimin e padrejtë.
86 për qind e fëmijëve mendojnë se shkollat e tyre duhet të bëjnë më shumë për të mbështetur arsimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara. 57 për qind e fëmijëve raportuan se përmbytjet ndikuan në njëfarë mase në jetën e tyre të përditshme.
Në anketë, 78 për qind e fëmijëve mendojnë se Qeveria apo Komuna duhet të bëjë më shumë për ndryshimet klimatike.
18 për qind e fëmijëve deklarojnë se s’kanë njohuri të mjaftueshme për shëndetin seksual dhe riprodhues.
Sipas anketës, 40 për qind e fëmijëve të anketuar pajtohen plotësisht ose pjesërisht që ngacmimi seksual u ndodh “atyre që e kërkojnë” (që vishen në mënyrë provokative, e të tjera); 32% e vajzave pajtohen me këtë pohim, krahasuar me 53% të djemve.
Aty po ashtu tregohet se 83 për qind e fëmijëve do të donin të kishin më shumë ndikim, fuqi dhe mundësi për t’i shprehur pikëpamjet e tyre për çështjet që i shqetësojnë. Vetëm 9 për qind e fëmijëve kanë marrë pjesë në ndonjë konsultim publik të organizuar nga komuna e tyre ose qeveria gjatë dy vjetëve të fundit. 91 për qind e fëmijëve të anketuar pajtohen që komuna duhet të investojë më shumë në hapësira publike për të rinjtë dhe fëmijët. Vetëm 29% e fëmijëve të anketuar pohojnë se kanë dëgjuar për Institucionin e Avokatit të Popullit.
“Save the Children Kosova” ka thënë se pret që institucionet e Kosovës dhe shoqëria të krijojnë struktura e procedura që u ndihmojnë t’i marrin mendimet e fëmijëve dhe që ato të merren parasysh për vendimet me ndikim dhe interes më të mirë në jetën e fëmijëve./ KultPlus.com
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)