Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
Eliminimi i hershëm në Lojërat Olimpike të Parisit e ka dëshpëruar boksieren Donjeta Sadiku. 25-vjeçarja kishte udhëtuar për në kryeqendrën franceze me synim për të fituar medaljen më të vlefshme në sport, atë olimpike.
Por Donjeta u ndal në luftën e dytë në kategorinë deri 60 kilogramë. Pësoi 3:2 nga boksierja e Kolumbisë, Angie Valdes. Në luftën e parë e kishte mposhtur, po ashtu me rezultat 3:2, boksieren nga Tajlanda, Thananya Somnuek.
“Parisi 2024” ishte Olimpiada e dytë për Donjetën. Ajo ishte paraqitur edhe në “Tokio 2020”. Derisa në Tokio ishte me ftesë, në Paris garoi me normë të fituar. Por nuk shfaqi nivelin e duhur për t’iu afruar medaljes olimpike.
Pas pushimit prej disa javësh, Donjeta i është kthyer punës në palestër. Tani stërvitjet po i zhvillon në një hapësirë të hotelit Grand në qendër të Prishtinës, të shndërruar në sallë boksi falë një investimi nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Donjeta po e vazhdon punën me trajneren Marjola Sallauka dhe ka kthyer fokusin te Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028”.
“Synimi im është medalja olimpike. Nuk arrita që në Paris ta bëj ëndrrën realitet, të stolisem me medalje olimpike, por unë jam në moshë të re dhe kam kohë. Unë kam thënë edhe me herët që Donjeta nuk dorëzohet asnjëherë dhe ëndrra ime mbetet medalja olimpike”, ka thënë Donjeta Sadiku për KOHËN.
Një ëndërr tjetër i është plotësuar Donjetës – stërvitja në një sallë që i plotëson kushtet. Salla e kompletuar besohet se do t’i ndihmojë asaj për të arritur qëllimin e madh. Por natyrisht do të jetë ndihmë e madhe edhe për boksierët e tjerë.
“Gjatë gjithë karrierës ëndrra ime ka qenë që të kem një sallë të tillë që i plotëson të gjitha kushtet për stërvitje. Tashmë ëndrra është bërë realitet. Po shpresoj që jo vetëm unë por edhe boksierët e tjerë ndihen shumë më të lirë dhe ndihen më të motivuar që e kanë një sallë të tillë. Jo vetëm unë, që do të përgatitem për garat e tjera, por po besoj që edhe trajnerja Marjola Sallauka, që do të arrijë që të sjellë edhe boksierë të tjerë të rangut tim. Ndoshta do të ofrojë edhe ndonjë boksier do të arrijë të sjellë medalje evropiane, botërore, e ndoshta edhe pjesëmarrja në Lojërat Olimpike”, ka theksuar Donjeta Sadiku.
Në vitin 2022 ajo fitoi medalje të bronztë evropiane e botërore. Prej atëherë gjithë fokusin e kishte te paraqitja në Lojëra Olimpike. Deri para pak javësh, Donjeta ka stërvitur në një hapësirë me mundësi shumë të limituara. Por tashmë ka sallën që e ka kërkuar vazhdimisht.
Për sallën e re është e lumtur edhe trajnerja Marjola Sallauka.
“Salla e re është një përparësi e madhe sepse i plotëson të gjitha kushtet për ushtrime.
Dhe jo vetëm për Donjetën, por edhe për boksierët e tjerë do të jetë një lehtësim shumë i madh. Po besoj që boksierët e tjerë nuk do t’i kenë sfidat të cilat i kemi pasur me Donjetën. Kemi ushtruar në kushte më të rënda, kurse kjo sallë është një lehtësim
shumë i madh dhe besoj që rezultatet nuk do të mungojnë”, ka thënë Sallauka.
Sallauka beson që Donjeta do të vazhdojë të jetë prej boksiereve më të mira.
“Donjeta ka përvojë shumë të madhe në rangun elitar, që është shumë sfidues. Mirëpo Donjeta është në top-treshen botërore në kategorinë 60 kilogramë. Donjeta është e treta. E kemi një përparësi sepse shumica e boksiereve të cilat kanë pasur përvojë më të madhe se Donjeta, tashmë e kanë lënë boksin. E kanë arritur moshën për tu pensionuar. Donjeta tashmë e ka një përparësi shumë të madhe dhe me përvojën e saj po besoj se në të ardhmen do të jetë një ndër boksieret më të mira në botë”, ka vazhduar Sallauka.
Nuk ka datë të saktë se kur Donjeta do të kthehet në ring. Por ajo po përgatitet për kthim të fuqishëm.
Në fakt boksi aktualisht nuk është pjesë e programit për Lojërat Olimpike të vitit 2028 që mbahen në Los Angeles. Por ka shpresë se situata do të ndryshojë në vitet e ardhshme dhe boksi sërish do të jetë në Lojërat Olimpike.
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)