Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
Aleanca ushtarake, NATO, ka njoftuar të premten se ka miratuar dërgimin e trupave shtesë në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – për shkak të rritjes së tensioneve, ndërsa u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që ta shtensionojnë situatën dhe t’i kthehen dialogut.
“Ne gjithmonë do të sigurojmë që komandanti ynë t’i ketë burimet dhe fleksibilitetin e nevojshëm, në mënyrë që KFOR-i [misioni i NATO-s në Kosovë] ta përmbushë mandatin e tij”, ka thënë përmes një deklarate sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke shtuar se në varësi të situatës janë në gjendje të bëjnë edhe rregullime të tjera.
NATO-ja në komunikatë ka thënë se “gjithmonë do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”.
“Ne e bëjmë këtë në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, thuhet tutje në komunikatë.
NATO-ja ka theksuar se është në koordinim të ngushtë me të gjitha palët e interesuara në Prishtinë e Beograd.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që urgjentisht ta shtensionojnë situatën. Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin në rajon”, vijon komunikata.
Nga përleshja mes Policisë së Kosovës dhe grupit të armatosur të dielën në Banjskë të Zveçanit, mbetën të vdekur rreshteri Afrim Bunjaku dhe tre sulmues. Në lidhje me ngjarjen, u arrestuan tetë persona, katër prej të cilëve u liruan në mungesë provash. /KOHA/
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)