Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
Policia e Kosovës ka kryer të premten kontrolle në pesë lokacione në tri komuna në veri të Kosovës, – Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Zubin Potok – lidhur me sulmet ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator, në Banjskë të Zveçanit.
Si pasojë e përleshjeve të Policisë me një grup të armatosur në këtë pjesë në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – kanë vdekur një zyrtar policor dhe tre sulmues.
Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë (REL) se kontrollet në këto lokacione kanë nisur pas orës 06:00 dhe lidhen me zhvillimet në Banjskë.
Elshani ka thënë se nuk ka persona të arrestuar, por që kontrollet janë kryer në disa vende specifike.
Sipas informacioneve të REL-it në teren, pjesëtarët policorë në Mitrovicë të Veriut kanë qenë te spitali i qytetit.
Aty, hetuesit kanë kërkuar që të kontrollohet një aneks ku gjendet ngrohtorja.
Drejtori i spitalit, Zllatan Ellek ka konfirmuar për mediat se policia i ka konfiskuar incizimet monitoruese dhe nuk ka gjetur asgjë tjetër të dyshimtë
Zyrtarët policorë kanë qenë edhe te restoranti Gray në Mitrovicën e Veriut, i cili besohet se është në pronësi të Ema Radoiçiqit, bashkëshortes së nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq.
Policia ka thënë se kontrollet i ka kryer në koordinim me misionin e Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX dhe misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)