Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
today05/09/2023
Është publikuar në fletoren zyrtare marrëveshja e nënshkruar mes Shqipërisë dhe Kosovës, më 5-korrik 2023 në Tiranë dhe që synon lehtësimin e procedurave doganore për inspektimin e produkteve me origjinë jo shtazore. Ajo mu miratua në mbledhjen e fundit të qeverisë shqiptare në 30 gusht.
Marrëveshja, e cila ka një kohëzgjatje prej pesë vitesh dhe që mund të ripërsëritet, ka për qëllim promovimin e tregtisë, heqjen e barrierave dhe lehtësimin e procedurave të kontrollit, Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë dhe qeveria e Republikës së Kosovës, me synim forcimin dhe shtrirjen e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, si dhe zhvillimin e bashkëpunimit në fushën e bujqësisë.
Po ashtu, sipas marrëveshjes, “autoritetet kompetente të secilës palë do të njoftojnë njëra-tjetrën për planet e kontrollit me bazë risku dhe aktet rregullatore që miratohen në fushën e sigurisë ushqimore. Dhe, kontrollet e ngarkesave të ushqimeve me origjinë jo shtazore, gjatë importit dhe eksportit, do të realizohen bazuar mbi analiza risku”
Për zbatimin e kësaj marrëveshje, institucionet respektive të Bujqësisë, me qëllim zhvillimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë ushqimore, do të shkëmbejnë publikime profesionale dhe organizojnë trajnime të përbashkëta.
Në marrëveshje është parashikuar dhe mundësia e të paturit mosmarrëveshje. Por për këtë do të kujdesen përfaqësuesit e autoriteteve kompetente, Ministria e Bujqësisë së Shqipërisë dhe ajo e Kosovës.
Në fund të marrëveshjes, saktësohet se kohëzgjatja e kësaj marrëveshjeje është për 5 vjet, që nga momenti i nënshkrimit të saj. Dhe bëhet me dije se kjo marrëveshje, do të zgjatet automatikisht për një periudhë tjetër prej 5 vitesh, përveç kur njëra prej Palëve kërkon ndërprerjen e saj me shkrim nëpërmjet rrugëve diplomatike, të paktën 3 muaj para përfundimit të periudhës përkatëse të vlefshmërisë. Kjo marrëveshje mund të ndryshohet me miratimin reciprok me shkrim të Palëve, në çdo kohë.
Marrëveshja u miratua në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave më 30 gusht 2023. Kjo marrëveshje është një tjetër marrëveshje në morinë e marrëveshjeve mes dy vendeve për të forcuar edhe më shumë bashkëpunimin ekonomik.
Sipas shifrave, shkëmbimet tregtare mes dy vendeve gjatë 7-mujorit të këtij viti llogariten mbi 30 miliardë lekë. Konkretisht eksportet drejt Kosovës gjatë periudhës janar-korrik ishin 23.7 miliardë lekë. Importet për 7-mujorin llogaritën 6.4 miliardë lekë, transmeton ATSh.
Ndërkohë grupet e punës nga të dy vendet po punojnë për kryerjen e një analize për bashkimin doganor, në mënyrë që të hiqen të gjitha barrierat e burokracitë mes dy vendeve dhe që bashkëpunimi tregtar të mos ketë asnjë pengesë.
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)