Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
today30/12/2022
Të gjitha barrikadat në veri janë hequr. Para pak minutash është larguar edhe kamioni që shërbente si barrikadë në Zupç të Zubin Potokut, shkruan Reporteri.net.
Megjithatë siç raportohet, kanë mbetur edhe dy kamionët që u dogjën natën mes të mërkurës dhe të enjtes në vendin e njohur si “Shkëmbi i Dudës”.
Po ashtu edhe një kamion i djegur gjendet në Sërbovc në rrugën Zveçan-Leposaviq.
Pasditen e së enjtes, të maskuar, serbët filluan me heqjen e barrikadave në veri, njëzet ditë pasi mbajtën të bllokuar këtë pjesë.
Për njëzetë ditë me radhë, trembëdhjetë barrikada të vendosura kohë pas kohe bllokuan lëvizjen e lirë të qytetarëve në veri të Kosovës.
Si erdhi deri te vendimi për heqje të barrikadave?
Njëzet ditë thirrje për largimin e tyre “ranë në vesh të shurdhër”. Qeveria e Kosovës po priste KFOR-in që të largonte barrikadat, e në anën tjetër ndërkombëtarët insistonin se barrikadat duhet hequr nga ata që i kanë vendosur.
Vetëm ndryshimi i aktakuzës të Dejan Pantiq nga paraburgimi në arrest shtëpiak, ndezi shkëndinë e ‘dorëzimit’ të serbëve në Kosovë në raport me barrikadat.
Me t’u bërë i ditur vendimi, mbrëmjen e 28 dhjetorit, presidenti serb Aleksandar Vuçiq u mblodh kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën, me pjesëtarë të komunitetit serb për të diskutuar mbi mundësinë e heqjes së barrikadave.
I thirrur në “shërbim ndaj popullit të tij”, Vuçiq në takim hyri me idenë që do pranonte çdo përgjigje që i japin serbët, pro ose kundër heqjes së barrikadave.
Sidoqoftë, i njëjti doli nga takimi duke deklaruar se barrikadat do hiqeshin, mëngjesin e ditës së ardhshme, të enjten.
Paraprakisht, Vuçiq theksoi se janë dhënë garanci se kërkesat e serbëve për heqjen e barrikadave do të plotësoheshin, prej të cilave është kërkesa për mos ndjekje penale të personave që vendosën barrikadat.
Përderisa triumf për Serbinë e ka konsideruar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq lirimin e Pantiqit në arrest shtëpiak, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbetur i habitur me këtë vendim.
Kurti ka thënë se është kurreshtar ta dijë se cili gjyqtar e la në arrest shtëpiak Pantiqin e akuzuar për terrorizëm.
“Nuk e di çështjen gjyqësore procedurale te atij që është i pandehur dhe mbahet në Jarinjë për shkak se nuk mund të dërgohej në burg zyrtar, në qëndrim të paraburgimit, ai ka statusin e të paraburgosurit. është i pandehur për terrorizëm. Ajo qe kam dëgjuar meqenëse ishte ne greve të urisë dhe kishte probleme me zemër, do mund të dërgohej në spital, qe është e kuptueshme, a është e arsyeshme e vendos gjyqësor, mirëpo kur ke një akuze për terrorizëm të dërgohesh në arrest shtëpiak jam kurreshtar të di cili është ai prokuror që e bënë këtë kërkesë e cili është ai gjyqtar që e aprovon”, tha Kurti dje në një adresim për media.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ndërrimin e masës së sigurisë të Dejan Pantiqit tha se e bazoi “në aspektin shëndetësor dhe njëkohësisht aspektin human”./Reporteri.net/
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)