Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, do të raportojë sot (e hënë) para Këshillit të Ministrave të BE-së për situatën në veri të vendit. Punimet e Këshillit do të jenë të shtrira në dy ditë, më 14 dhe 15 nëntor, ndërsa do të diskutohen edhe tema të tjera. Takimi fillon në ora 10:00 dhe mbahet në Bruksel.
Përpos që do të japë analizën e tij për situatën e re të krijuar në veri të Kosovës, Borrell do të raportojë para ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian edhe për takimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, në Paris.
Pas takimeve që pati me liderët e të dy vendeve, Borrell deklaroi se palët duhet të angazhohen dhe në mënyrë konstruktive të tregojnë gatishmëri për kompromis dhe të respektojnë angazhimet e tyre në dialog.
Në të njëjtën kohë, Borrell nënvizoi rëndësinë e të përmbajturit nga çdo veprim i njëanshëm dhe retorikë nxitëse.
“Me luftën që po ndodh në Ukrainë, Evropa nuk mund të ketë një tjetër konflikt në tokën e saj. Është përgjegjësi e palëve që ta shmangin këtë për të mirën e njerëzve të tyre, të cilët do të humbasin më shumë nëse sjellja aktuale përshkallëzuese nuk ndryshon. Pamundësia për të përmbushur detyrimet dhe përshkallëzimi i shpejtë, do të kenë pasoja të dëmshme para së gjithash për njerëzit në Kosovë dhe Serbi, për të ardhmen evropiane të të dyja palëve dhe besueshmërinë e tyre në sytë e partnerëve evropianë dhe ndërkombëtarë”, tha Borrell.
Kryeministri Albin Kurti ka përsëritur se nuk do të pranojë asociacion njëetnik në Kosovë, ndërsa tha se zhvillimet e fundit nuk duhet të largojnë vëmendjen nga marrëveshja finale me njohje reciproke. Ai nuk ka dhënë shenja se mund të tërhiqet edhe nga vendimi për targat, shtyrja e zbatimit të të cilit i është kërkuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Situata në veri mori një tjetër drejtim pasi pjesëtarët e komunitetit serb dhanë dorëheqje nga institucionet kosovare, në shenjë kundërshtimi ndaj zbatimit të planit të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e makinave me targa RKS të Republikës së Kosovës.
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)