Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur këtë të premte, ka marrë vendim të ri lidhur me konvertimin e targave ilegale, të lëshuara nga Serbia, në ato RKS.
Kryeministri Albin Kurti tha se ky vendimi bën sekuencim dhe shkallëzim të sanksioneve, konkretisht për tri javë ata të cilët nuk e zbatojnë vendimin për konvertimin e targave do të qortohen.
Pas fazës tri javore të qortimit, ai bëri të ditur se ata të cilët i mbajnë targat ilegale në Republikën e Kosovës për dy muaj rresht do t’u shqiptohen gjoba (nga 21 nëntori deri më 21 janar).
Pas kësaj faze, për dy muaj të tjerë (21 janar deri më 21 prill) do të ketë targa provuese deri në prill kur nuk do të lejohen të qarkullojnë targa të tjera përveç atyre RKS.
“Duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit e pastaj nga 21 nëntori për dy muaj, deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes. Dhe pastaj, nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë. Pastaj më 21 prill nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, tha kryeministri Kurti, raporton Telegrafi.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, kishte thënë se nga 1 shtatori deri më 31 tetor, qytetarët që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia, mund t’i konvertojnë në targa RKS – Republika e Kosovës.
Pas 31 tetorit, Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se nuk do të lejojë qarkullimin e këtyre makinave brenda territorit të shtetit dhe as ta kalojnë kufirin.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë kërkuar Kosovës që të shtyjë për dhjetë muaj procesin e riregjistrimit, por Qeveria e Kosovës, sipas SHBA-së, ende nuk i është përgjigjur kësaj kërkese.
Më 25 tetor, kryeministri Kurti deklaroi se Kosova merr seriozisht sugjerimet e aleatëve ndërkombëtarë lidhur me shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat.
“Përveç se duam të respektohet rendi dhe ligji, gjithashtu jemi të kujdesshëm që të mos rrezikohet paqja dhe siguria. Andaj edhe kur partnerët, aleatët, miqtë tanë ndërkombëtar na japin sugjerime, ne ato i marrim shumë seriozisht dhe i analizojmë me kujdes”, ka deklaruar Kurti.
Ndërkohë, sot ambasadorët e vendeve të QUINT-it në Kosovë, para mbledhjes së Qeverisë, kanë zhvilluar një takim me kryeministrin Kurti. /Telegrafi/
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)