Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
Ndeshjet e fundit garuese të futbollit të Francës përpara kupës së botës “Katari 2022” duhet të jenë një shans për përzgjedhësin Didier Deschamps për të testuar ekipin e tij më të mirë. Por ndërsa Franca përgatitet të luajë me Austrinë në Ligën e Kombeve të enjten, tensioni qëndron mbi kampionin në fuqi të botës për shkak të problemeve të vazhdueshme jashtë fushës. Ato kanë të bëjnë me presidentin e Federatës Franceze të Futbollit (FFF), një lojtar kyç të dëmtuar të përfshirë në një skandal zhvatjeje dhe grindjen e sulmuesit Kylian Mbappe për të drejtat e imazhit.
Po ashtu, ekziston edhe kërcënimi i rënies në nivelin e dytë të Ligës së Kombeve nëse Franca dështon kundër Austrisë dhe Danimarkës, liderit të Grupit 1, tri ditë më vonë. Për më tepër, përzgjedhësi Deschamps është pa nëntë lojtarë të rregullt të lënduar, përfshirë portierin Hugo Lloris, mesfushorin Paul Pogba – i cili është zhytur në një skandal zhvatjeje që përfshin vëllanë e tij – dhe sulmuesin Karim Benzema. Dukej si nënvlerësim kur Deschamps tha se “nuk është atmosfera më e qetë” kur emëroi skuadrën e tij javën e kaluar për ndeshjet e këtij muaji.
Deschamps mori drejtimin në vitin 2012, dy vjet pas dështimit të Francës në Kupën e Botës në Afrikën e Jugut, ku lojtarët hynë në grevë në stërvitje dhe turpëruan një komb që shikonte në shtëpi. Situata aktuale nuk është aq e keqe sa ajo, as aq e tensionuar sa kur Benzema u përjashtua nga ekipi i Kampionatit Evropian 2016, për shkak të një roli të supozuar shantazhi në një skandal me kasetë seksuale që përfshinte shokun e atëhershëm të skuadrës Mathieu Valbuenan.
Por Deschamps, megjithatë, duhej të përballej me bujë dhe shpërqendrime mediatike këtë javë, pasi Mbappe tha se do të bojkotonte një fotosesion me shokët e tij në një mosmarrëveshje mbi të drejtat e imazhit. Kërcënimi i Mbappes erdhi pasi Federata nuk kishte ndryshuar marrëveshjen kolektive që rregullonte të drejtat për ekipin kombëtar përpara Kupës së Botës. Federata më pas ndryshoi qëndrimin e saj pas diskutimeve që përfshinin lojtarë të lartë, presidentin e FFF-së, Noel le Graet, përzgjedhësin Deschamps dhe një menaxher marketingu.
Deschamps ka ngritur pyetje edhe për presidentin Le Graet, me të cilin ka pasur një marrëdhënie të fortë pune ndër vite. Le Graet po përballet me pretendime për ngacmim seksual dhe Federata e Francës është objektivi i një hetimi të urdhëruar nga ministrja franceze e Sportit, Amelie Oudea-Castera. Pas takimit me Le Graet të premten e kaluar, ajo njoftoi një “mision auditimi dhe kontrolli” në Federatë që do të kryhej nga organi shtetëror i inspektimit përgjegjës për sportin. Vetë FFF-ja ka ngritur një padi për shpifje kundër revistës “So Foot”, e cila raportoi këtë muaj se Le Graet dyshohet se ngacmoi disa punonjëse femra me mesazhe të papërshtatshme. Deschamps mund të jetë shumë i lehtësuar kur ndeshja e së enjtes mbrëma fillon në “Stade de France” dhe ai mund të fokusohet në fushë për disa orë në vend të asaj që po ndodh jashtë saj.
“Është një ndeshje e rëndësishme, të cilën duhet ta fitojmë. Sigurisht, nuk do të jetë lehtë, por duhet patjetër të marrim pikë për të shmangur rënien”, ka thënë Deschamps.
Lëndimi i lehtë i Benzemas në kofshë ka ndikuar në rikthimin e Olivier Giroudit. Dhe Giroud ka një shans që të tejkalojë rekordin kombëtar të golave të vendosur nga Thierry Henry (51) dhe të sigurojë një vend për Kupën e Botës. Giroud ka shënuar 48 gola, dhe prania e tij mund të jetë gjithashtu një bekim për Deschampsin, të cilit i mungojnë liderët në skuadrën e tij. Mesfushori N’Golo Kante është një tjetër mungesë për shkak të një lëndimi të muskulit. Lëndimet e shumta te Franca kanë hapur derën për lojtarët e tjerë që të konkurrojnë për një vend në Katar. Qendërmbrojtësi Benoit Badiashile dhe mesfushori Youssouf Fofana, të cilët luajnë të dy për Monacon, dhe sulmuesi i Eintracht Frankfurtit, Randal Kolo Muani, do të debutojnë te Franca.
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)