Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
today30/08/2024
Vetëm edhe dy ditë na ndajnë nga ceremonia e hapjes së edicionit të 54 të Festivalit të Teatrove, dhe ky edicion tashmë ka spikatë detajet për gjashtë ditët e kësaj feste teatrale, e që pos lojës skenike ka të përfshirë edhe muzikë e punëtori të ndryshme.
Besim Ugzmajli është personi që ka marr timonin e drejtorit të festivalit për këtë edicion, e që copëza të kontributit ka dhënë për 17 vjet me radhë.
Atmosferën rreth përgatitjeve për trupat e shfaqjeve, detajeve të fundit dhe të hapësirave ku do të mbahet festivali, Ugzmajli i përshkruan si të jashtëzakonshme, edhe përkundër faktit se thyerja e llogos së festivalit nga persona të papërgjegjshëm iu la një shije të hidhur, me shpresën se kjo llogo është thyer nga persona ta papërgjegjshëm, dhe jo me një qëllim të caktuar kundër festivalit.
Ndërkohë, përderisa audienca gjithmonë sheh shkëlqimin e skenës, dhe jo të telasheve të shumta të organizatorëve, Ugzmajli thotë për KultPlus se organizimi i një festivali të tillë gjithmonë i ka vështirësitë e veta, dhe se sipas tij çdo vit ka vështirësi të natyrave të ndryshme.
“Këto vështirësi vijnë nga mungesa e resurseve njerëzore në organizmin e ngjarjeve të këtyre niveleve, apo sikur vitin e kaluar ishte aspekti financiar, por sigurisht ka edhe vështirësi të natyrës së përgjithshme organizative, sepse edhe kërkesat tona janë çdo vit e më të larta. Prandaj ky vit, vështirësinë kryesore ka mungesën e mjaftueshme të stafit adekuat në organizim. Bashkëpunëtorët me të cilët e organizojmë festivalin janë të jashtëzakonshëm, por festivali ka nevojë edhe për më shumë staf që njohin departamentin e organizimit, sepse një ngjarje e tillë do shumë njerëz e profesionistë të ndryshëm”, ka thënë Ugzmajli për KultPlus.
Shfaqjet pjesëmarrëse të këtij edicioni, Ugzmajli i vlerëson tejet konkurruese, dhe se sipas tij, për këtë përzgjedhje ka qenë një përpjekje maksimale në mënyrë që të prezantojnë realizimet më të mira teatrore në teatrot shqiptare.
“Sivjet viteve të kaluara kemi një program shumë konkurrues me shfaqje të jashtëzakonshme. Sigurisht ka shfaqje të tjera të mira që kësaj radhe nuk kemi pas mundësi ti kemi ne program dhe kjo më së shumti për faktin e mungesës së hapësirave performuese në qytetin e Ferizajt”, ka thënë ai duke shtuar se në skenën shqiptare ka prurje artistike, por vështirësitë financiare diktojnë edhe në realizim të shfaqjeve.
“Skena teatrore shqiptare funksionon në maksimumin e saj, por vazhdon të ballafaqohet me vështirësi financiare. Prandaj mbështetja për teatrot e qyteteve duhet të shumëfishohet, në mënyrë që të ketë një konkurrencë të denjë konceptesh e idesh, pa u fshehur në mungesa financiare. Teatrot e Qyteteve vazhdojnë të funksionojnë me vështirësi të theksuara financiare për prodhim e mobilitet”, ka thënë Ugzmajli.
Ndërkohë, edhe përkundër faktit që ky festival po shënon edicionin e 54, ky festival nuk ka një qëndrueshmëri financiare, që konsiderohet një sfidë në vete.
“Vështirësia kryesore e FTF vazhdon të jetë pasiguria financiare. Pra, nga një organizim i jashtëzakonshëm i përvitshëm, shumë lehtë mund të rrezikohet mbajta e festivalit viteve të ardhshme. Pra, për rritjen e këtij festivali, duhet një garanci shtetërore financiare, por sigurisht në bashkëpunim edhe me subjekte të tjera relevante financuese”, ka thënë ai që krahas përzgjedhjes së shfaqjeve, performancave muzikore, këtë vit është angazhuar edhe për punëtori, gjë që e konsideron si pjesë të veçantë të festivalit.
“Sivjet, përveç programit të jashtëzakonshëm të shfaqjeve dhe ndejave, ne me kënaqësi prezantojmë punëtorinë tepër të veçantë “Lufta e IV Botërore” si një nga krye ngjarjet e këtij edicioni. Kjo punëtori me mentor Gjorgji Rizeski do të mbahet për 6 ditë, ku dy ditët e fundit do të kulmojë me dy performanca në Qytetin e Ferizajt, ku qëllimi kryesor është që teatri mos ndodh vetëm brenda objekteve të Teatrit, por edhe ne si artistë teatri ti afrohemi spektatorit kudo që është ai” ka thënë drejtori Ugzamjli.
Me ndjesinë e përgjegjësisë së jashtëzakonshme, stimulimit të ambicieve për ta rritur këtë festival, Ugzmajli thotë se planet për të ardhmen e këtij festivali janë edhe më të mëdha, duke tentuar që ta rrisin konkurrencën më të gjerë, dhe pika tjetër, që të shtojnë kategorinë e veçantë, atë ndërkombëtare.
E deri në një realizim të tillë, këtë vit me shfaqjet e tyre do të prezantohen teatro nga shtetet: Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut dhe një përfshirje të tillë, Ugzamjli e sheh si një emocion të përbashkimit kulturor e kombëtar. “Shumë domethënës, jo vetëm për kombin por veçanërisht për kulturën e teatrin në veçanti”.
Edicioni i 54-të i këtij festivali do të nisë më 1 shtator dhe do të zgjasë deri më 6 të po këtij muaji, dhe shfaqjet e këtii edicioni do të prezantohen në dy lokacione: Në Teatrin “Adriana” dhe Galerinë e Arteve në Ferizaj.
Shfaqja që do të qel perdet e këtij edicioni është shfaqja “Mishi i egër” e që do ta prezantojë Teatri i Shkupit./ KultPlus.com
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)