Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
Protestuesit e mbledhur në oborrin e Kuvendit të Kosovës kanë nisur të shpërndahen.
Kusht i tyre për shpërndarje ishte që të ndërpritej seanca e Kuvendit, ku duhej të diskutohej për Projektligjin për tërheqjen e kursimeve nga Trusti. Dhe pasi, kryetari Glauk Konjufca, njoftoi për ndërprerje të seancës, edhe protestuesit e thirrur nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, nisën të shpërndahen.
Kryeministri Albin Kurti ka ftuar për takim përfaqësuesit e veteranëve, të premten në orën 9:00.
Krerë të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e së premtes të thirrur nga kryeministri Kurti.
“Ne nuk iu ikim takimeve, por qëndrimi i organizatave të dala nga lufta është që të kthehet ligji në vend, sepse është bërë shkelje”, ka thënë ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK, Faton Klinaku.
Edhe kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari ka paralajmëruar pjesëmarrjen në takim me Kurtin
Veteranët po protestojnë pasi nuk janë përfshirë në Projektligjin për pagën minimale. Qeveria insiston që veteranëve t’u rritet pensioni, por vetëm pas pastrimit të listave.
Policia e Kosovës përmes një njoftimi pas përfundimit të protestës, ka bërë të ditur se ajo ka përfunduar e qetë dhe pa ndonjë incident.
“Asnjë veprim i Policisë së Kosovës nuk është ndërmarr në kundërshtim me procedurat e parapara ligjore, ku specifikohen qartë veprimet policore në rast të nevojës për ndërhyrje apo ndërmarrje të ndonjë veprimi policor në interes të mbrojtjes dhe ofrimit të sigurisë për personat dhe objektet e rëndësisë së veçantë”, thuhet në njoftim.
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)