QKK-ja nuk ka rregullore për këtë pjesë, por Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Indi është pjesë e listës së festivaleve në të cilët mbështet filmat për pjesëmarrje.
“Filmi është mirë të shkojë, të tregojë një rrëfim nga Kosova. Qëllimi është të ketë sa më shumë njohje. Kjo ka qenë e vetmja mënyrë, të marrë pjesë filmi ose të tërhiqet komplet. Ne jemi më shumë të interesuar të shfaqet nëpër ato vende të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, të bëhen hapat e parë”, ka thënë Zeqiri.
Ajo dhe regjisori i filmit kanë thënë se “Okarina” është financuar nga QKK-ja me 50 mijë euro në vitin 2019.
Filmi me regji të Alban Zogjanit dhe skenar të Albana Mujës ka zënë vend në një prej kategorive të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Indi. “Okarina” ka qenë njëri nga shtatë filmat debutues të regjisorëve të rinj. Ai flet për emocione të panjohura të tanishme duke u kthyer pas në kohë, në vitet ‘2000. Dëshira për të qëndruar në vend dhe detyrimi për të ikur janë dy shtyllat e filmit.
Bazuar në ‘trailer-in’ e filmit, aty shpalosen skenat e zhvendosjes në një vend krejtësisht të ri. Një fillim krejtësisht i ri që nis me dokumentet për leje qëndrim. Fatet e jetës imponohen nga rrethanat, sikurse martesa me një shtetas të huaj. Aty jepet mesazhi për ta thyer “imoralitetin” për një jetë më të mirë. Kjo vjen si një lloj paragjykimi i asaj kohe, por sillen edhe të tjera që vazhdojnë edhe sot, ato që adresojnë gratë.
“Një burrë shqiptar, me vetëdije për ‘moralin’ dhe konceptin për familjen, i zënë në cepin e humnerës, para sorollatjes përfundimtare, fillon ta zgjojë tërbimin brenda vetes. Ai më nuk është vetja. Është bisha e mbyllur brenda tij të cilit i shket e shoqja, ndërsa e bija ia thellon dhimbjen”, shkruhet për përshkrimin për filmin “Okarina”.
“Okarina” ka qenë në garë bashkë me filmin “Almost Entirely a Slight Disaster” me regji të turkut Umut Subaşı, “Let Me Go” të Maxime Rappaz nga Zvicra, “Steep” të koreanit Jason Yu, “Ëhen The Seedlings Groë” të sirianit Rêger Azad Kaya, “Dhai Aakhar” të Praveen Arora nga India dhe filmi “Iratta” i Rohit M.G. Krishnan, po ashtu nga shteti ku organizohet Festivali.
Në përmbledhjen e filmit të publikuar në ueb-faqen e Qendrës Kinematografike të Kosovës shkruhet se “Tregimi flet për një familje shqiptare e cila gjatë luftës së fundit në Kosovë, detyrohet të merr rrugën e emigrimit në Evropë. Familja për të cilën flitet është e vendosur në një qytezë të Suedisë, ku bëjnë një jetë modeste. Në një moment krejt të papritur, çifti të cilët janë rreth të pesëdhjetave Selvia dhe Shaqa, pranojnë vendimin për t’u kthyer në Kosovë, me arsyetimin se Kosova pas luftës është vend i lirë”.
Përfshirja në kategorinë “Debutimi më i Mirë” në të cilin “Okarina” garon bashkë me gjashtë filma të tjerë sipas realizatorëve të filmit, vlerësohet si dëshmi e cilësisë, rëndësisë dhe hapësirës që një krijim filmik zë në këtë industri. Në Festival, filmi u shfaq në dy terminë, më 19 dhe 21 nëntor.
Regjisori Alban Zogjani ka thënë se premiera ndërkombëtare në një festival me traditë si ai në Indi i hap rrugë në karrierën e tij.
“Si regjisore debutues është arritje e mirë të jesh në mesin e festivaleve që janë të akredituara. Sigurisht festivali është shumë i madh dhe ka më shumë dedikim Bollywood-in. Nuk e kam pritur që më ftojnë. Ka qenë një lloj befasie për mua, pasi që nuk kam pritur ftesë. Pjesa e mirë është që jam pjesë e shtatë debutuesve. Kanë zgjedhur veç shtatë filma të regjisorëve që e kanë filmin e parë”, ka thënë Zogjani.
Filmi i tij është zgjedhur në mesin e mbi tre mijë filmave që kishin aplikuar për përfshirje në programin e Festivalit. Zogjani ka thënë se premierën vendore e planifikon për në shtator por se asaj i paraprin një rrugëtim ndërkombëtar.
“Premierën në Kosovë e planifikoj në shtator të vitit të ardhshëm. Po pretendoj të kem një udhëtim të filmit jashtë vendit fillimisht. Më është konfirmuar pjesëmarrja për në një festival në Slloveni që mbahet në muajin maj. Po shpresoj që premierës në Kosovë t’i paraprijnë sukseset ndërkombëtare”, është shprehur regjisori Alban Zogjani.
Skenaristja e filmit “Okarina”, Albana Muja, ka vlerësuar se çdo depërtim i punës së tyre është e rëndësishme jo veç për ta, por edhe për të prezantuar Kosovën në vendet që ende se njohin.
“Konsideroj që çdo dalje e punëve tona, sidomos nëpërmjet artit, e në këtë rast nëpërmjet filmit artistik, është shumë e rëndësishme për vendin tonë, sidomos në vendet ku nuk e kanë njohur ende Kosovën si shtet, e pastaj edhe për mua si dramaturge, padyshim që është sukses dhe motivim shtesë për të vazhduar shkrimin qoftë ne skenar filmi qoftë në dramë”, ka thënë skenaristja e dramaturgia Albana Muja derisa ka zbuluar më detajisht tematikën që filmi shpalos.
“Filmi flet për një familje shqiptare e cila pas luftës së fundit në Kosovë, detyrohet te merr rrugën e emigrimit në Evropë. Pas disa viteve, krejt papritur, çiftit shqiptar i vjen vendimi për t’u kthyer në Kosovë. Filmi kryesisht është i koncentruar në kohën kur familja bën të pamundur dhe përballet me shumë peripeci dhe të papritura duke qenë shumë të koncentruar për të qëndruar atje, gjithmonë duke besuar dhe shpresuar për një jetë më të mirë”, ka thënë ajo.
Temën e ka bazuar në dramën e saj “Komedi e kuqe” që ishte promovuar në vitin 2015 dhe ishte dhënë premierë në dhjetor të 2018-s në Teatrin e Mitrovicës. Me regji të Kreshnike Osmanit, drama sillte realitetin e të rinjve kosovarë dhe synimet për gjetjen e një rruge drejt një jete më të mirë.
“Këtë temë pak a shumë e kam shtruar në një dramë timen, të botuar shumë vite më herët, por e gjithë ngjarja trajtohet me anë të komedisë së zezë, ndërkaq tek skenari i filmit, jam koncentruar ta nxjerr dramën e kësaj teme, dhe jo atë komiken siç bëra tek drama ‘Komedi e kuqe’. Frymëzimin për të shkruar, jo vetëm skenar filmi, por edhe dramë, e gjej në përditshmëri, kryesisht në hallet e shoqërisë që na rrethon. Gjithmonë aktualiteti më provokon më shumë”, ka thënë ajo nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim.
Nga fotografitë e publikuara nga Muja në rrjete sociale shihet se filmi i metrazhit të gjatë “Okarina” e kishte mbushur sallën plot në premierë.
Në film luajnë Jehon Gorancin në rolin e Shaqës, Arta Selimi në rolin e Dianës e Rina Krasniqi e luan Sarandën. Kastriot Shehi vjen në film si Giovanni e Shengyl Ismajli si Selvia. Producentë të filmit janë Rita Krasniqi dhe Dren Zherka.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Indi po zhvillohet nga 20 deri më 28 nëntor. Është i vetmi festival i akredituar nga Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Prodhuesve të Filmit (International Federation of Film Producers Associations).
Festivali është themeluar në vitin 1952 dhe sivjet shënon edicionin e 54-t. Njihet si një prej festivaleve më të vjetra të filmit në botë dhe çdo edicion i tij mbledh kineastë dhe adhurues të filmit nga gjithë bota.
Programi i tij përfshin edhe garë në disa kategori si ajo ndërkombëtare, gara “ICFT-UNESCO Gandhi Medal Award”, gara për debutimin më të mirë, programi jashtë garës ku përfshihet “Indian Panorama”, “Festival Kaleidoscope” dhe Special Screening/Gala Premieres” si dhe programe të tjera të veçanta me punëtori e master-klasë./KOHA/
Post comments (0)