Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
today01/07/2022
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, u ka kërkuar falje të gjithë luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe familjeve të tyre lidhur me një status që kishte bërë para disa viteve për veteranët.
Në një postim në Facebook, Murati ka thënë se gjuha që ka përdorur ka qenë e gabuar, por që nuk ka pasur synim ofendimin e ushtarëve dhe dëshmorëve.
Siç ka deklaruar ai, ato shkrime janë bërë si rezultat i mllefit me ata që sipas tij kanë “fryrë” listat e veteranëve për përfitime financiare dhe politike si dhe kanë shtrembëruar historinë e luftës.
“Shkrimet e para disa viteve kanë qenë nga mllefi me ata që asokohe me fryrjen e listave për përfitime financiare e politike po shtrembëronin historinë e luftës dhe të vërtetën tonë kolektive. Ju siguroj se ato shkrime nuk kanë pasur synim ofendimin ndaj ushtarëve dhe dëshmorëve”, ka shkruar Murati.
“E pranoj që gjuha e përdorur atëherë ka qenë e gabuar, prandaj ju kërkoj ndjesë të gjithë luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre”.
Disa postime të ministrit Hekuran Murati në Facebook të para disa viteve lidhur me veteranët janë përfolur ditëve të fundit.
Murati në vitin 2016 kishte thënë se më shumë po kushton buxheti për veteranët se buxheti për FSK-në.
E për këtë postim është pyetur sot kryeministri Albin Kurti, por nuk pranoi të komentojë
“Unë jam kryeministër, nuk jam komentues. Komentues ka pa fund. Kryeministri i Republikës së Kosovës qeveris me vendin për çështjet madhore. Çka shkruajnë komentuesit për komentimet e para shumë vjetëve nuk mund të jenë temë, e as prioritet për mua”, tha Kurti. /Telegrafi/
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)