Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
Grevë njëorëshe do të mbajnë të gjithë punëtorët e sektorit publik më 12 maj, në shenjë pakënaqësie për mospërfilljen e kërkesës për 100 euro shtesë çdo muaj deri në miratimin e Ligjit për Paga.
Ndërkaq më 20 maj do të ketë protestë, ka bërë të ditur Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës të enjten.
“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura është shumë unik. Ne sot vendosëm që, krahas që është hapur një tunel i vogël për dialog social me Qeverinë e Kosovës, ne do të vazhdojmë veprimet tona. Me datën 12 maj kemi vendos të shkojmë me një grevë njëorëshe për të gjithë të punësuarit e Kosovës dhe vazhdojmë me protestë me datën 20 maj dhe me veprime tjera sindikale”, ka thënë kreu i BSPK-së, Atdhe Hykolli, të enjten pas takimit me sindikatat.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka thënë se dera për dialog me Qeverinë s’është e mbyllur. Pos 100 eurove shtesë çdo muaj deri në miratimin e ligjit për paga, Jasharaj ka thënë se sindikatat po kërkojnë që të shohin propozimin për koeficientet në këtë ligj, para se të miratohet në Kuvend.
“Pritja jonë është deri më datën 12 dhe do të ketë një grevë në tërë Kosovën. Pastaj pas kësaj greve do të kemi një protestë besoj madhështore ku të gjithë të punësuarit e Kosovës do të jenë në sheshin ‘Skënderbeu’. Dhe nëse edhe nuk reflektojnë sa duhet dhe nuk arrijmë marrëveshje atëherë pas protestës, sindikatat do të shkojnë në grevë të përgjithshme duke e paralizuar edhe sistemin arsimor por edhe tërë sektoret tjera. Pra po i japim hapësirë dialogut, por edhe do të veprojmë e ky veprim do të shihet me 12 maj dhe 20 maj. Kërkesave tona nuk iu është thënë jo, por ne po kërkojmë saktësi. Dy janë kërkesa kyçe të të gjitha sindikatave, pra 100 euro shtesë në paga deri në aprovimin e ligjit të pagave dhe po kërkojmë që ligji i pagave pasi që ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha që është kryer dhe ka shkuar në Ministrinë e Financave, të ulemi dhe ta shohim a janë respektuar kërkesat e secilës sindikatë. Nëse jo, do të ulemi dhe do të marrim veprime edhe më radikale se këto që i kemi paralajmëruar”, ka shtuar ai.
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)