Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
today24/02/2023
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) apo më saktë Këshilli për Sport i Këshillit Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive ka dalë me komunikatë zyrtare në lidhje me lajmet e shumta rreth kurdisjeve të ndeshjeve në futbollin e Kosovës.
Gjatë ditës së djeshme mediat franceze Le Figaro dhe Le Parisien dolën me lajme mbi kurdisjen e ndeshjeve në futbollin kosovar, ku sipas tyre nëntë persona kanë përfunduar në pranga.
Le Parisien shkoi edhe më larg duke raportuar se është klubi i Llapit nga Podujeva, i cili akuzohet në lidhje me kurdisjen e katër ndeshjeve.
Këto lajme kanë bërë jehonë të madhe në Kosovë, pasi dita e premte ka gdhirë me mohimin e akuzave nga Llapi, ndërsa FFK dhe Prokuroria Themelore e Prishtinës kanë thënë se janë duke trajtuar çështjen.
Të fundit kanë reaguar edhe nga MKRS me anë të Këshillit Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive.
Këshilli për Sport – Komunikatë për Opinionin Publik
Ndërlidhur me çështjen e adresuar gjatë ditës së djeshme dhe sot nga mediet elektronike në Kosovë, të cilat i referohen shkrimeve të disa mediumeve franceze, në të cilat flitet për kurdisjet e disa ndeshjeve të Superligës së futbollit të Kosovës;
Këshilli Kombëtar për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive, ashtu siç e ka njoftuar opinionin edhe me prononcimet e më hershme, ka kërkuar dhe do të angazhohet në vazhdimësi që çdo dyshim i ngritur për kurdisje të ndeshjeve sportive të hetohet nga organet përkatëse shtetërore, dhe përgjegjësit të dalin para ligjit.
Me kërkesën e Këshillit për Sport, prokuroria e shtetit, në mbështetje të Policisë së Kosovës është duke u marrë me trajtimin e çdo dyshimi të ngritur për kurdisje të ndeshjeve sportive, duke përfshirë edhe rastin e publikuar në media.
Meqenëse rastet për dyshime të kurdisjeve janë në fazën e hetimeve, përfshirë këtu edhe bashkërendimin me autoritetet e Francës dhe organizatat ndërkombëtare të sportit, ne si Këshill nuk mund të japim ndonjë informatë shtesë që mund të dëmtojë hetimet, mirëpo e përsërisim angazhimin tonë të palëkundur dhe të të gjitha autoriteteve tjera shtetërore për hetimin e çdo dyshimi të ngritur për kurdisje të ndeshjeve sportive.
Me respekt,
Besim Kelmendi
Kryetar i Këshillit për Sport
/Telegrafi/
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)