Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
today23/02/2023
Emisari i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq në muajin janar dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në muajin shkurt kanë thënë se pranojnë në princip propozimin evropian.
Lajçak thotë se në takimin e së hënës pret që të dy ta pranojnë edhe zyrtarisht e publikisht, si dhe të diskutohet për zbatimin e tij.
“Ka ardhur koha që ai takim të organizohet në Bruksel dhe presim që nga partnerët tanë ta pranojnë zyrtarisht dhe publikisht atë propozim dhe të diskutojmë zbatimin e tij, kështu që ky është qëllimi i takimit tonë të hënën.
Unë nuk do të diskutoja formalitetet, mendoj se është e rëndësishme që palët të pranojnë, siç thashë, që është edhe formale dhe publike të thuhet se e pranojnë atë plan dhe më pas të diskutohen të gjitha detajet e tjera, para së gjithash përmbushja e këtij plani”, tha ai.
Kurti, të enjten tha se propozimi evropian nuk është produkt i negocimit, meqenëse sipas tij më 18 gusht të vitit të kaluar është hapur tema për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, por pa pasur takime për atë temë, “ku pala tjetër nuk ka qenë e interesuar e as e gatshme për këtë, dhe tri javë pas atij takimi vjen propozimi”.
Ai i bëri këto deklarata më 23 shkurt në Kuvendin e Kosovës, kur u pyet për temat që pritet të diskutohen në takimin e së hënës me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Pra, nuk është se ne kemi negociuar dhe është sjellë propozimi. Propozimi shumë më shumë ka të bëjë me historinë prej më shumë se një dekade të dialogut të Brukselit. Pra, propozimi nuk është as produkt i përfshirjes së kërkesave negociuese të palëve”, tha ai.
Sipas tij, aleatët e Kosovës e kanë dizajnuar propozimin evropian si një pako që do të avancojë anëtarësimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar, “dhe i cili përmban njohjen de-facto, e gjithë kjo bazuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara, e cila përbën një kushtetutë të sistemit ndërkombëtarë pas Luftës së Dytë Botërore për marrëdhëniet mes shteteve të pavarura”.
Ndryshe, Kurti dhe Vuçiq nuk kanë zhvilluar takim në kuadër të dialogut të Brukselit që nga nëntori i vitit 2022.
Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011.
Palët kanë synime të ndryshme sa i përket marrëveshjes finale, që synohet të arrihet në këtë proces. Kosova insiston në njohje reciproke, ndërkaq Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.
Written by: ClubFm Kosova
Copyright Radio Club FM Kosova
Post comments (0)